Batatina: Jonuzi shkoi te Prishtina sepse klubi e kushtëzoi për t’ia kthyer borxhin!

Tahir Batatina rikthehet për të thumbuar Prishtinën, kësaj radhe pasi klubi nga kryeqyteti ia mori sulmuesin më të mirë të skuadrës, Ahmed Jonuzin.

Trajneri i Llapit ka deklaruar që Jonuzi është rikthyer te Prishtina vetëm për të marrë borxhin, që sipas tij klubi bardhekaltër i kishte mbetur nga edicioni 2017/18.

Në një prononcim për gazetën, Batatina përtej kësaj akuze i uroi suksese Jonuzit në aventurën e re te Prishtina.

“Zgjedhja ka qenë e lojtarit. Ai ka shkuar te Prishtina për shkak se Prishtina i ka mbetur borxh nga edicioni i kaluar dhe kusht për t’i marrë paratë ka qenë transferimi në këtë verë”, deklaroi Batatina për Gazetën Olle.

“Ne i kemi ofruar kushte shumë të mira, jemi dakorduar por kjo ishte arsyeja pse kaloi te Prishtina”, shtoi ai.

Llapjani tutje deklaroi që Januzi u “ngjall” te Llapi, pasi që nga kryeqyteti kishe ardhur i “zymtë”.

“Ai e ndërroi Llapin as për kushte e as për punë profesionale, sepse nga Prishtina ka ardhur i zymtë dhe tek ne u ringjall”.

“Tani po e kuptojnë të gjithë që Llapi është një skuadër që i avancon lojtarët. Unë i uroj suksese në karrierë”, përfundoi Batatina.

Jonuzi ishte futbollisti më i shtrenjtë në Superligë edicionin e kaluar, ku paga e tij sezonale kalonte shifrën e 40 mijë eurosh.

Në anën tjetër, Jonuzi për faqen zyrtare të Prishtinës u shpreh i lumtur për rikthimin në “Fadil Vokrri”.

“Ka qenë dëshirë e dy palëve, edhe e Prishtinës edhe e imja dhe jam shumë i kënaqur që kthehem sërish. Kam nderin që do të luaj sërish me këtë fanellë pranë shokëve të mi që deri dje për një vit i kam pasur kundërshtar, por tani sërish ambiciet i kemi të përbashkëta dhe shpresoj shumë që ato do t’ia arrijmë së bashku, sidomos kam shumë besim në kualifikimet e Evropa Ligës”.

“Ekipi është ruajtur ashtu siç e kam lënë unë, përpos shumë pak ndryshimeve kualitative. Edhe ardhja apo kthimi i Endritit është shumë e qëlluar, ndjehemi faktikisht si në shtëpinë tonë”.

“Thash, shpresoj shumë se do të kemi sukses, me angazhim maksimal, sepse ekipi është i mirë dhe vetëm sa është përforcuar edhe më shumë”.

“Patjetër që me një trajner si Josa i cili është me shumë cilësi dhe me vlera të mëdha njerëzore do të dijë të na mbaj të grumbulluar ashtu siç din ai më së miri”, deklaroi Jonuzi. /Gazeta Olle/