Bashkimi shënon fitore ndaj Akademik Bultex në Ligën Ballkanike

Skuadra e Bashkimit ka regjistruar një fitore të rëndësishme në kuadër të plejofit të Ligës Ballkanike.

Bashkimi, të mërkurën mbrëma në Prizren ka mposhtur bindshëm ekipin nga Bullgaria, Akademik Bultex me rezultatin 94-81.

Kjo është ndeshja e parë në kuadër të plejofit të BIBL-it dhe Bashkimit i duhet të ruajë këtë epërsi në ndeshjen e kthimit që luhet javën tjetër në Plovdiv për të avancuar në “Final Four”.

Te Bashkimi, më i dalluari në këtë fitore ishte Frederic Stutz me 20 pikë të shënuara, 7 kërcime e 3 asistime. Ai u ndihmua nga Aaron Moss që realizoi 19 pikë, pati 8 kërcime dhe 12 asistime.

Në plejof të BIBL-it, takohen ekipet prej pozitës së tretë te e gjashta derisa në “Final Four” tashmë janë të kualifikuara Rilski Sportist e Blokotehna si dy ekipet e para në pjesën e rregullt të këtij edicioni.