Bashkimi ka ekip për titull e Kupë

Skuadra e Bashkimit po synon t’i japë fund pritjes së gjatë për një trofe fundjavën e ardhshme. Prizrenasit ia kanë “vënë syrin” Kupës së Kosovës, trofe që e kishin fituar në vitin 2001 dhe është i vetmi në vitrinat e këtij ekipi.

Bashkimi është kualifikuar në “Final-Four” të Kupës së Kosovës, që do të mbahet në Mitrovicë (17-19 shkurt), pjesë e të cilit janë edhe Sigal Prishtina, Peja e Trepça.

Në gjysmëfinale, Bashkimi do të luajë kundër Pejës, derisa Trepça do të përballet me Sigal Prishtinën. Në të vërtetë, dueli mes Bashkimit dhe Pejës do të jetë i pari për këto skuadra këtë edicion. Ato ende nuk janë përballur në kampionat, pasi të dy duelet janë shtyrë me kërkesë të Pejës e Bashkimit, për shkak të angazhimeve në FIBA Europe Cup, përkatësisht në BIBL.

Bashkimi i ka marrë me seriozitet Kupën dhe pjesën e mbetur të kampionatit. Së fundi ka angazhuar edhe disa lojtarë të huaj dhe tash ka pesë në dispozicion. Para disa ditëve, Bashkimit në stërvitje i janë bashkuar amerikanët Justin Black e Antonio Jenifer, kurse këtë javë në Prizren pritet të mbërrijë edhe Garrius Adams.