Baseli, Red Bull Salzburgu dhe Viktoria Plzen kundërshtarët e mundshëm të Skënderbeut

Të premten më 17 korrik, edhe pse nuk kanë përfunduar ndeshjet e kthimit të turit të dytë, në orën 12:00 në Nion të Zvicrës, do të hidhet shorti për turin e tretë të UEFA Champions League.

Në turin e tretë do të konkurrojnë midis tyre 30 skuadra. 13 prej tyre, me koeficient të lartë, dihen dhe do të marrin pjesë për herë të parë direkt në turin e tretë të UEFA Champions League. Këtyre do të bashkohen me 17 skuadrat, që do të dalin fituese nga ndeshjet e kthimit të turit të dytë më 21 korrik, për të krijuar 15 çiftet e turit të tretë të UEFA Champions League, ndeshje që do të luhen më 28 korrik dhe 4 gusht.

13 skuadrat që nisin aventurën e tyre direkt në turin e tretë janë:

FC Shakhtar Donetsk (UKR)

AFC Ajax (NED)

CSKA Moskva (RUS)

Club Brugge KV (BEL)

AS Monaco FC (FRA)

BSC Young Boys (SUI)

AC Sparta Praha (CZE)

Fenerbahçe SK (TUR)

Panathinaikos FC (GRE)

SK Rapid Wien (AUT)

FC Basel 1893 (SUI)

FC Salzburg (AUT)

FC Viktoria Plzeň (CZE)

Me këto skuadra do të operohet edhe të premten në Nion për hedhjen e shortit të turit të tretë, duke i lënë evazivë emrat e kundërshtarëve të tyre.

Kështu, duke i menduar të kualifikuar, ende pa u zhvilluar takimi në Irlandën e Veriut, kampionët tanë të Skënderbeut do të njihen me kundërshtarin e tyre qysh të premten në mesditë.

Kush do të jetë kundërshtari i radhës për Skënderbeun? Vështirë ta thuash, të gjithë kanë koeficientë të lartë dhe në letër konsiderohen më të forte se skuadra jonë kampione. Por Skënderbeu fjala vjen nuk ka përse t’i frikësohet Ajaksit, Monakos e ndonjë skuadre tjetër me emër të madh.

Që nga edicioni 2009/2010 UEFA ka përcaktuar në rregullore se skuadra kampione e një vendi, nuk mund të ndeshet me një skuadër që nuk është kampione e vendit të saj, por ka fituar të drejtën të luajë në UEFA Champions League.

Pra Skënderbeu mund të “peshkojë” fjala vjen skuadra, si Baseli, Red Bull Salzburgu dhe Viktoria Plzen, që janë kampione të vendet e tyre.

Gjithsesi, para se të hamendësojmë, le të presim deri të premten në mesditë për të mësuar emrin e skuadrës kundërshtare të Skënderbeut, i cili më pare duhet të përfundojë edhe 90 minuta në Irlandën e Veriut.