Baseli pas Ergys Kaçes

Vlera e tij dihej, por nëse ndokush kishte dyshime, paraqitja kund Francës i ka vënë “vulën”.

Menaxherë të shumtë dhe drejtues klubesh nga gjithë Europa ishin në Elbasan për të parë lojtarë të kombëtares sonë dhe Kaçe ka mahnitur drejtuesit e Baselit.

Klubi zviceran ka humbur trajnerin Paulo Souza, i cili ka shkuar te Fiorentina, por portugezi mund të marrë me vete edhe Taulant Xhakën.

Ndërkaq, Baseli sapo ka punësuar trajnerin Urs Fisher, i cili ka bërë një punë mjaft të mirë sezonet e fundit te Thuni.

Fisher ka ndjekur ndeshjen e Kaçes kundër Francës dhe ka kërkuar që klubi të sigurojë shërbimet e lojtarit të Paokut, shkruan sportal.al.

Në fakt, Kaçe te Paoku është shumë i vlerësuar dhe drejtuesit nuk e lëshojnë kollaj, por në kontratën e tij ekziston një klauzolë prej 5 milionë eurosh dhe nëse Baseli vendos ta paguajë, atëherë Paoku duhet të dorëzohet.

Duke pasur parasysh vlerën dhe moshën e lojtarit, shifra prej 5 milionësh nuk është asgjë, edhe për faktin se Baseli është një klub i specializuar në rritjen e vlerës së lojtarëve në treg.