Barcelona hedh sytë kah sulmuesi i Milanit si zëvendësues për Suarezin

Drejtuesit e Barcelonës e kanë identifikuar sulmuesin e Milanit, Krzysztof Piatekun, si zëvendësues të mundshëm për Luis Suarezin.

Sulmuesi uruguaian Luis Suarez i mbush 33 vjeç në janar dhe ai mund të mos vazhdojë të luajë më në të njëjtin nivel të lartë për një kohë të gjatë, transmeton Gazeta Express.

Dhe Calciomercato.it pretendon se drejtuesve të Barcelonës nuk u ka bërë përshtypje se si e ka nisur Suarezi sezonin e ri dhe ata po e shqyrtojnë mundësinë e transferimit të një sulmuesi gjatë afatit kalimtar të janarit.

Një numër i opsioneve për pozitën e qendërsulmuesit janë diskutuar, përfshirë këtu Mario Mandzukicin e Juventusit, Timo Wernerin e Leipzigut dhe Jaime Matan e Getafes.

Megjithatë, sulmuesi polak Piatek është kandidati i preferuar i klubit spanjoll dhe për të katalonasit janë të gatshëm t’i shpenzojnë deri në 50 milionë euro.

24-vjeçari iu bashkua Milanit nga Genoa në janar për 35 milionë euro dhe, që nga atëherë, ka arritur t’i shënojë 13 gola në 27 ndeshje në të gjitha garat.

Për momentin, ai është duke e kaluar një periudhë të keqe sa i përket numrit të golave të shënuar, pasi që vetëm sa e ka shënuar golin e parë nga loja e hapur në 12 ndeshjet e fundit.

Ndërkohë, Suarezi i ka shënuar tri gola në gjashtë ndeshjet e fundit këtë sezon.