Barça e pakënaqur me sjelljen e Ousamane Dembele

Te Barcelona janë të zemëruar me sulmuesin anësor francez, Ousmane Dembele, pasi ai nuk është paraqitur në kontrollimin mjekësor për të konstatuar seriozitetin e lëndimit që mori në humbjen nga Athletic Bilbao.

Dembele luajti tërë ndeshjen në humbjen 1:0 të Barcelonës në udhëtim ndaj Bilbaos të premten, në xhiron e parë të La Ligas spanjolle. Por ai dukej se kishte probleme muskulore derisa u largua nga fusha, transmeton Koha Ditore.

Gazeta spanjolle “Marca” ka raportuar se Barcelona kishte pritur Dembelen për kontroll mjekësor të shtunën në mëngjes, për të parë seriozitetin e lëndimit muskulor, por sulmuesi anësor ka ardhur në kontroll vetëm të hënën.

Pasi i është nënshtruar analizave, është konstatuar se Dembele ka pësuar një këputje të muskulit afër gjurit të tij të majtë, që mund ta mbajë jashtë fushe deri në pesë javë.