Barazhi i parë: Gjilani e Besa luajnë sot për një biletë Superlige në “Fadil Vokrri”

Është një ditë e madhe për Gjilanin e Besën, që do të luajnë për një biletë Superlige sot në “Fadil Vokrri”.

Dy ekipet zbresin në tapetin e stadiumit prishtinas prej orës 16:00, për të diskutuar një vend elitar për edicionin e ardhshëm të garave në Ipko Superligë, përcjellë Gazeta Olle.

Presioni është mbi Gjilanin për disa arsye.

Fillimisht ekipi i Gentjan Mezanit është më kualitativ në letër, ndërsa klubi vjen pas një viti ku ka shpenzuar jo pak dhe ka ka qenë shumë i rregullt financiarisht.

Megjithatë, përkundër korrektësisë maksimale të kryetarit Florim Zuka, skuadra ka dështuar totalisht duke mbetur në barazh, me “Talin” që pret nga lojtarët sot një fitore si shpërblim për atë që i ka dhënë skuadrës gjatë edicionit që lamë pas.

E derisa Gjilani ka cka të humb në sfidën e barazhit, krejt ndryshe është situata te Besa.

Humbja eventuale pejanët do t’i linte në Ligën e Parë, andaj Besa vjen pa presion në këtë ndeshje.

Trajneri Fisnik Gashi dhe futbollistët kanë premtuar maksimumin në këtë sfidë, me shpresën që do ta kthejnë Besën mes më të mirëve të futbollit tonë.

Kujtojmë që tifozët e Gjilanit do të vendosen në lindje, ndërsa ata të Besës në perëndim. /Gazeta Olle/