Bajram Jashanica paguan 8 mijë euro që t’i falet pjesa e mbetur e pezullimit nga UEFA?

Bajram Jashanica shpreson që të rikthehet në fushë brenda këtij sezoni. U bënë gati 19 muaj që kosovari nuk luan një ndeshje zyrtare (konkretisht nga shkurti i 2018- ës, kur fitonin 3-0 në Korçë përballë Teutës).

Kujtojmë që mbrojtësi rezultoi pozitiv në testin antidoping pas sfidës me Jang Bojs në Ligën e Europës dhe për këtë motiv u dënua me dy vite.

Ndonëse vendimi i dhënë prej Komisionit të Disiplinës në UEFA në atë kohë u ankimua, apeli e la në fuqi. Por, tashmë që kosovari ka përfunduar 2/3 e dënimin, i lind e drejta që të kërkojë amnisti.

Gazeta “Panorama Sport” mëson se ai ka bërë kërkesë zyrtare në UEFA që t’i falet pjesa e mbetur e pezullimit. Dhe, sipas rregullores, që të hapet një proces gjyqësor për shqyrtimin e kësaj kërkese, duhet të paguajë 8 mijë euro.

Para, që lojtari i ka nxjerrë nga xhepi. Pritet që organet përkatëse në Zvicër nga muaji shtator të nisin procesi, për të cilin mjaftojnë vetëm dy seanca dhe më pas jepet vendimi.

Dhe nëse gjithçka mbyllet mirë, atëherë nga fundi i muajit të ardhshëm ose tetori, Bajram Jashanica mund të fitojë të drejtën që të futet në fushën e lojës.

Por, si rregull, 28-vjeçarit do t’i duhet që të kryejë edhe një herë testin antidopoing për të vërtetuar që nuk ka marrë substanca të ndaluara dhe është totalisht i pastër.