Baholli: Në futbollin kosovar nuk ekzistojnë vetëm 12 klube!

Kryetari i KF 2 Korriku, Shaban Baholli, ka komentuar zhvillimet e fundit në futbollin Kosovar.

Sipas tij, klubet e pakënaqura ndaj punë së Federatës së Futbollit të Kosovës, këtë po e bëjnë për interesa personale.

Gjashtë klube të Superligës dhe disa nga Liga e Parë kanë kërkuar ndryshime në statutin e FFK-së, përmes të cilit klubet e Superligës duan të kenë nga një përfaqësues në Komitetin Ekzekutiv të federatës.

“Disa klube po e bëjnë këtë për interesa individuale. Shumica e klubeve mendojnë ndryshe. Federata nuk është krejt perfektë, por punët po shkojnë mirë”, thekson Baholli për Gazetën Olle.

I pari i klubit prishtinas, që në futbollin vendor investon prej viteve 90-të, thotë se 12 klube të Superligës nuk mund ta përfaqësojnë të gjitha klubet.

“Nuk është aspak në rregull që klubet e Superligës të kenë përfaqësues në Komitet Ekzekutiv e Liga e Parë jo. Në futbollin Kosovar nuk janë vetëm 12 klube dhe kjo nuk do të thotë që ata do ta udhëheqin ligën”, shton Baholli.

Sipas tij, ndryshime në statut duhet të bëhen, por jo të gjitha propozimet e dala nga klubet e pakënaqura.

Baholli deklaron se edhe ata duhet të kenë dikë që i përfaqëson në Komitet Ekzekutiv.

“Ne klubet duhet të jemi shumë syqelë që të zgjedhim njeriun adekuat, i cili do të na përfaqësojë dhe mbrojë interesat e klubeve”.

Drejtuesit e FFK-së, presidenti Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, takuan dje klubet e Superligës, gjashtë prej të cilave kërkojnë të jenë në Komitet Ekzekutiv. /Gazeta Olle/