‘Babai nuk më lë të luaj futboll ’

Peter Olainka flet më në fund për arrat isjen nga Skënderbeu. Edhe pse jep një variant disi të pabesueshëm, nigeriani ka konfirmuar dje për “Panorama Sport” se ka një arsye të fortë që nuk do të rikthehet më të luajë në Shqipëri.

“Më mungon Korça, por nuk do të rikthehem për të luajtur futboll. Babai ma ka ndaluar një gjë të tillë, prandaj edhe unë do ta respektoj atë. Jam i detyruar t’i bindem”, thotë sulmuesi në bisedën për gazetën përmes rrjetit social “Facebook”.

 

I pyetur se si ka mundësi të ndodhë një gjë e tillë, në një kohë që Olainka prej katër vitesh është pjesë e futbollit profesionist, vetë sulmuesi nuk futet në detaje, duke nënkuptuar se ka probleme të mëdha familjare. “Dëshira ime është që unë të vazhdoj të luaj futboll, por babai im nuk e pëlqen këtë sport. Kur u ktheva në Nigeri më bëri të ditur se nuk duhet të luaja më. Kjo është e gjithë situata.

Më vjen shumë keq, por s’kam çfarë të bëj, do dëgjoj babanë”, tregon nigeriani, i cili është zhdukur nga Skënderbeu që prej muajit maj, në një kohë që në klubin korçar e presin, teksa e kanë paditur edhe në FIFA.

Gjatë kësaj periudhe është folur se lojtari ka qenë në Indonezi, teksa ka dashur të transferohet te një ekip i këtij kampionati, përmes negociatave që ka bërë menaxheri i tij. Për këtë fakt, Olainka nuk pranoi të kthente një përgjigje, duke mbyllur këtu bisedën.

Alibitë e sulmuesit kanë qenë nga më të ndryshmet, në një kohë që tani thekson se bashkimin e tij te Skënderbeu e ka penguar i ati. Në klubin korçar, nuk duan ta besojnë këtë dhe janë duke pritur kthimin e futbollistit. Mbetet për t’u parë nëse është kjo arsyeja e vërtetë e lojtarit që nuk është rikthyer te Skënderbeu apo diçka tjetër ka në mendje sulmuesi nigerian për të ardhmen. Olainka është vlerësuar nga presidenti Takaj si lojtari më i rëndësishëm i skuadrës, por “lojërat” e nigerianit e kanë zhgënjyer pa masë atë.