Babai i Elseid Hysajt tregon të ardhmen e mbrojtësit kuqezi

Babai i Elseid Hysajt, Gëzim Hysaj, u prononcua sot për Supersport, ku shpjegoi edhe arsyet pse Carlo Ancelotti kishte lënë jashtë mbrojtësin shkodran, për udhëtimin që Napoli do të luajë sonte ndaj Milanit.

Ai hodhi poshtë aludimet se trajneri i Napolit nuk e ka në konsideratë Hysajn dhe theksoi se ky i fundit nuk ia doli të ishte i grumbulluar për ndeshjen e sotme, për shkak të një dëmtimi në gju.

“Për sa i takon ndeshjes sot, mungesës në transfertën e Milanos, është për shkak të një dëmtimi në gjurin e djathtë. Me këtë dua të hedh poshtë çdo lloj spekulimi që është bërë në lidhje me mungesën e Hysajt në ndeshjen e Kupës së Italisë me Milanin”, deklaroi Gëzim Hysaj, transmeton Gazeta Olle.

Më pas babai i mbrojtësit të Kombëtares Shqiptare theksoi edhe njëherë se Ancelotti beson te Elsi dhe se ky i fundit është i gatshëm për të rinovuar kontratën e tij me Napolin.

“Në kontaktet që kemi pasur me Ancelottin, ai na ka thënë se beson te Elsi dhe unë nuk dua të ngre dyshime mbi fjalën e një trajneri si ai. Elsi ndihet mirë te Napoli dhe ka një kontratë deri në vitin 2021, ndaj përpiqet çdo ditë të japë më të mirën. Luan prej 5 vitesh në Serinë A dhe nuk mund të vihen në dyshim aftësitë e tij. Zëra merkatoje ka pasur, por ne ndihemi mirë në Napoli, një qytet që ngjason shumë me Shkodrën, ndaj jemi gati të rinovojmë”, shtoi Gëzim Hysaj.