Atletico Madrid siguron finalen e Ligës së Evropës, eliminon Arsenalin

Atletico Madrid ka siguruar finalen e Ligës së Evropës.

Skuadra e drejtuar nga Diego Simeone, është kualifikuar për në finale të Ligës së Evropës, duke e mposhtur 1:0 Arsenalin në ‘Wanda Metropolitano’, teksa kishte barazuar 1:1 në ndeshjen e parë në ‘Emirates Stadium’.

Heroi i Atletico Madridit në këtë ndeshje doli të jetë sulmuesi Diego Costa.

Spanjolli shënoi në minutën e fundit të pjesës së parë, për ta dërguar Atleticon në finalen e madhe që luhet më 16 maj ‘Parc Olympique Lyonnais’ në Lyon.

Në finale, Atletico Madrid do të takohet me fituesin e gjysmëfinales tjetër Salzburg – Marseille.

Përndryshe, për trajnerin Arsene Wenger, kjo ishte ndeshja e fundit në Evropë me Arsenalin, pasi do të largohet në fund të sezonit pas qëndrimit 22 vjeçar.