Astrit Hasani, emërohet kryetar i kësaj federate në Kosovë

Astrit Hasani është emëruar kryetar i Federatës së Peshëngritjes së Kosovës, në Kuvendin e Punës, të mbajtur të dielën në Shtëpinë e Sportit në Prishtinë.

Z.Hasani, deri më tani sekretar i përgjithshëm, do të zëvendësojë Ali Sekiraqën, i cili javë më parë ndërroi jetë.

Kryetari i ri u zgjodh me aklamacion. Kuvendarët votuan edhe për sekretarin e përgjithshëm dhe me aklamacion kjo pozitë i takoi, Arian Zogut.

Zgjedhja e tyre është me mandatin tre-vjeçar, deri pas Lojërave Olimpike “Tokyo 2020”, shkruan faqja zyrtare e Komitetit Olimpik të Kosovës.

Komitetin Olimpik të Kosovës në Kuvend e përfaqësoi anëtarja e Bordit Ekzekutiv, znj.Shqipe Zogiani.

KOK përgëzon dhe ju uron suksese drejtuesve të rinj të kësaj federate.

Përveç pikave të zakonshme dhe përzgjedhjes së kryetarit dhe sekretarit të përgjithshëm të federatës, në Kuvend u diskutua edhe për Kampionatin Evropian të Peshëngritjes, të cilin e organizon kjo federatë prej 22 shtator – 30 shtator 2017.

Kampionati mbahet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.