Arsyet e vërteta se pse TKZ ka bojkotuar Kombëtaren

Dikur FSHF po i luftonte, duke krijuar “fan clube”, vetëm e vetëm për t’i aneksuar. Tashmë institucioni i futbollit po u shtrin sërish dorën grupimeve më në zë të Kombëtares. Megjithatë, këta të fundit kanë vendosur t’i kthejnë shpinën Federatës, pas manovrave që kjo e fundit ka bërë me mbështetësit kuqezi.

Disa muaj më parë tifozët e Kombëtares kuqezi treguan maturi, qytetari dhe spektakël në mbështetjen masive që i bënë ekipit në tri ndeshjet e vlefshme për fazën finale të “Euro 2016”.

Ndonëse hasën vështirësi dhe pamundësi për të marrë bileta në mënyrë të organizuar, ultrasit kuqezi ishin masivë thuajse më shumë se çdo tifozëri tjetër, duke u bërë një ndihmesë dhe përkrahje e madhe për Kombëtaren debutuese të Xhani De Biazit. Mirëpo, janë pikërisht këta tifozë që kanë deklaruar për bojkot të ndeshjeve të Kombëtares në stadiumet shqiptare. Në pamje të parë, duket si një vendim i nxituar, mirëpo vetëm i tillë nuk është.

Ndonëse jo të unifikuar në të njëjtën deklaratë, grupimet tradicionale mbështetëse të Kombëtares kanë pasur një të përbashkët në qëndrimin e tyre: Stop dhunës dhe trajtimit çnjerëzor nga policia në shkallët e stadiumit. Vendimi drastik vjen si pasojë e një sërë veprimesh dhe mosveprimesh të gabuara, që “Panorama Sport” mundohet t’i sjellë për gjithë situatën FSHF-tifozë.

Represion policor

Në shumicën e ndeshjeve që zhvillohen në Shqipëri, nëse ka tifozë në stadium, do të ketë edhe probleme. Kjo, jo se ekzistojnë huliganë dhe dhunues, porse duket qartësisht që policia shqiptare nuk ka kulturën e menaxhimit të masave në stadiume. Kudo dhe në çdo ndeshje, sportdashësit përballen me një represion policor që i trajton si një masë e madhe… kriminelësh.

Policia si strukturë

Prania e forcave të rendit në çdo ndeshje që zhvillohet në Shqipëri është e domosdoshme. Mirëpo, kjo nuk legjitimon kurrsesi sjelljen harbute të uniformave blu kundrejt sportdashësve. Normalisht që mund të ketë masa, por sigurisht që nuk duhet të ekzistojë dhuna.

Në fund të fundit, policia është një strukturë që në thelb paguhet nga vetë sportdashësit, populli dhe taksapaguesit. Pavarësisht dhunës dhe terrorit të ushtruar në “Elbasan Arena” në ndeshjen mes Partizanit dhe Skënderbeut, nuk u gjet as kurajë më e vogël për të kërkuar ndjesë, qoftë edhe për tejkalimin e kompetencave të forcave të rendit.

“Bileta preferenciale”

Vetëm në ndeshjen Shqipëri-Izrael u njoftua se ka bileta në dispozicion të tifozëve shqiptarë në dyqanet fizike të FSHF-së. Por për Spanjën? Po më parë kundër Portugalisë apo Serbisë? Sjellja e Federatës Shqiptare të Futbollit nuk ka qenë aspak korrekte me sportdashësit.

Institucioni i futbollit i trajton tifozët vetëm si mjet përfitimi dhe i fton ata nëpër stadiume, vetëm në momentin kur “lexon” se interesimi nuk është maksimal. Në ato ndeshje që e ka të garantuar “klientelën” nuk i hap fare dyqanet fizike.

Diferencimi i tifogrupeve

Nuk ndodh dhunë policore vetëm në ndeshjet e Kombëtares. Mjaft të kujtoni ndeshjen Partizani-Skënderbeu… apo shumë e shumë të tilla në kampionatin shqiptar. FSHF duhet ta dijë që dhuna policore nuk përsëritet vetëm tri apo katër herë në vit që luan Kombëtarja në Shqipëri, por çdo fundjavë.

Është e papranueshme që institucioni i futbollit të bëhet i ndjeshëm kundrejt ankesës së tifozëve (me të drejtë) për dhunën që ushtrohet kur luan Kombëtarja, ndërkohë që injoron çdo javë deklaratat e tifogrupeve të ekipeve shqiptare.

Tifozët me kollare

Një term i tillë është përdorur nga tifozët e kampionatit shqiptar (“Tirona Fanatics” ka bërë demonstrim për një tifozëri të tillë si ajo që preferon FSHF), por edhe nga tifozëritë mbështetëse të Kombëtares është përmendur një lloj i tillë tifozi në momentin kur FSHF u mundua të krijonte grupime imagjinare tifozërie.

Hipokrizia e FSHF-së arrin kulmin në momentin që, pak muaj më parë, u mundua me çdo mënyrë që të zbehte ndikimin e tifozërive tradicionale mbështetëse të Kombëtares dhe, në momentin kur e kuptoi se klubi i fansave “Tifozët e Kombëtares” nuk ka efekt, u rikthye të kërkojë praninë e ‘TKZ & CO’ në shkallët e stadiumit.