Arsyeja interesante pse nuk mund të largohet Sadiku nga Levante

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Sadiku do të vazhdojë të jetë pjesë e Levantes dhe nuk mund të huazohet gjatë afatit të janarit për shkak se kjo gjë bie ndesh me rregulloren e Federatës Spanjolle.

E vetmja mundësi që shqiptari mund të lëvizë është nëpërmjet shitjes së kartonit, raportojnë mediat shqiptare.

Gjithçka ka të bëjë me regjistrimin dhe çregjistrimin e lojtarëve nga ekipi i parë që përbëhet prej 25 emrash, transmeton Gazeta Olle.

Sadiku ishte në fillim pjesë e Levantes, më pas ai u çregjistrua nga klubi spanjoll në muajin gusht, për shkak të dëmtimit, duke liruar kështu vendin.

Në nenin 116 të rregullores së Federatës Spanjolle parashikohet që një lojtar nuk mund të regjistrohet e çregjistrohet dy herë në një klub brenda të njëjtit sezon.