Arsim Thaçi: Jam afër kësaj skuadre në Ligën e Parë

Trajneri Arsim Thaçi, është në listën për të marrë drejtimin e FC Vushtrrisë.

Klubi nga Vushtrria që garon në Ligën e Parë, ka nisur të rindërtojë një skuadër të re dhe denjë për edicionin e ri me objektiva të qarta, rikthimin në Superligë.

Vushtrriasit pak ditë më parë emëruan ish-futbollistin e njohur Muhamet Dragushën në postin e drejtorit sportiv. Dragusha tashmë ka nisur ndërtimin e një skuadre të re.

arsim thaqi bekim shotani

Fillimisht vushtrriasit janë duke kërkuar trajner të ri. Arsim Thaçi që aktualisht është Drejtor Sportiv i FC Prishtinës, është në listën e vushtrriasve për të marrë kreun e bankinës së kësaj skuadre më tradite në futbollin tonë.

Thaçi në një prononcim për RTKlive, e ka pranuar se është kontaktuar nga klubi i Vushtrrisë. Ai thotë se ka biseduar me Drejtorin Sportiv të kësaj skuadre, Muhamet Dragushën, por sipas tij, ende nuk ka asgjë konkrete.

thaqi

“Po. Jam takuar me Drejtorin Sportiv te Vushtrrisë, Muhamet Dragushën. Kemi biseduar rreth klubit të Vushtrrisë. Ata janë duke kërkuar trajner të ri, dhe ne kemi biseduar për këtë çështje, por ende nuk ka asgjë konkrete”, ka thënë Thaçi.

Ai e ka lënë të hapur mundësinë që të marr “timonin” e vushtrriasve.

“Në rast se më vjen ndonjë ofertë e mirë nga Vushtrria, sigurisht se mund ta pranojë. Ne jemi trajner dhe ne i shqyrtojmë ofertat që vijnë”, theksoi ish-trajneri i 2 Korrikut, Trepçës ’89 dhe Prishtinës.