Arrihet marrëveshja për miqësoren Shqipëri – Kosovë

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, ka konfirmuar se është arritur marrëveshja me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) për zhvillimin e ndeshjes miqësore.

Ndeshja Shqipëri – Kosovë është paraparë të zhvillohet më 29 maj në Zvicër. Në Federatën Shqiptare të Futbollit ende nuk e kanë bërë këtë publike. FSHF-ja është organizatore e ndeshjes. Para Kosovës, Shqipëria do të përballet me Ukrainën po në Zvicër.

“Me Federatën Shqiptare të Futbollit kemi arritur marrëveshje për zhvillimin e ndeshjes miqësore më 29 maj. Por, ka mbetur të shihet nëse Federata Zvicerane e Futbollit do t’i japë leje Federatës Shqiptare të Futbollit të bëjë organizimin e ndeshjes dhe për stadiumin se ku do të zhvillohet ndeshja. Nëse merr leje, atëherë ndeshja do të zhvillohet”, ka thënë Vokrri të enjten për gazetën, shkruan sot Koha Ditore..

Kosova kundër Shqipërisë ka luajtur në tri raste, 1993, 2002 dhe në vitin 2015. Dy të parat i ka humbur 3:1, përkatësisht 1:0, kurse në ndeshjen e tretë në Prishtinë barazoi 2:2.

Edhe seleksionuesi i Kosovës, Bernard Challandes, e mirëpret përballjen kundër Shqipërisë. “Do të jetë një ndeshje e shkëlqyer dhe e mirëseardhur për ne”, ka thënë Challandes.

Kryetari Vokrri ka thënë se ka pak gjasa që të mundë të organizohet një ndeshje e dytë miqësore për Kosovën, meqë nuk ka garanci nëse stadiumi i Prishtinës do të jetë gati deri më 5 apo 6 qershor.