Arrihet marrëveshja për çmimin e Schneiderlin, mesfushori largohet nga Unitedi

Evertoni dhe Manchester Unitedi kanë arritur marrëveshje për çmimin e Morgan Schneiderlin – raportojnë mediat britanike.

Mesfushori defensiv nënshkroi për Djajtë e Kuq para 18 muajsh nga Southamptoni, mirëpo në këtë sezon ka mbetur prapa në përzgjedhjet e Jose Mourinhos.

Ai është lidhur me një numër të madh klubesh, mirëpo BBC Sport, The Times dhe The Guardian njoftojnë se është shumë pranë kalimit te Evertoni.

Sipas njoftimeve, dy klubet kanë arritur marrëveshje për çmimin prej 22 milionë funtesh (25.3 milionë euro).

Kjo shifër do të arrijë në 24 milionë funte (27.6 milionë euro) duke ia shtuar edhe bonuset. /Telegrafi/