Arrihet marrëveshja, Lojërat Olimpike Tokio 2020 shtyhen deri në verën e vitit 2021

Është arritur marrëveshja. Lojërat Olimpike Tokio 2020 nuk do të mbahen këtë verë.

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, ka deklaruar se ka arritur marrëveshjen me presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, që Lojërat Olimpike të shtyhen për një vit.

Sipas tij, ato do të mbahen në verën e vitit 2021.

“Pas bisedës telefonike mes presidentit të IOC-ut, Thomas Bach dhe kryeministrit të Japonisë, Abe, të dy janë pajtuar që Lojërat Olimpike Tokio 2020 të mos anulohen dhe ato të mbahen në verën e vitit 2021”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit të Japonisë, raporton Gazeta Olle.

 

E gjithë kjo shtyrje vjen pas pandemisë së koronavirusit, që ka kapluar të gjitha shtetet e botës.

Lojërat Olimpike Tokio 2020 ishin planifikuar të mbahen prej 24 korrik – 9 gusht 2020 në Tokio të Japonisë. /Gazeta Olle/