Ardian Llumica tregon pse u eliminua Prishtina, kritikon Josën

Sezoni pranveror në futbollin kosovar nisi këtë vikend me ndeshjet e çerekfinaleve të Kupës së Kosovës.

Të shtunën Feronikeli e mposhti Ferizajn për të kaluar në gjysmëfinale.

Ndërsa sot u zhvilluan tri takime, ku Ballkani e mposhti Kikën me rezultat 1-0, po ashtu edhe Vëllaznimi e mposhti me rezultat minimal kampionin në fuqi Dritën dhe Trepça 89’ në stadiumin “Fadil Vokrri” e eliminoi Prishtinën pas ekzekutimit të penalltive.

Eliminimi i Dritës dhe i Prishtinës janë dy befasitë më të mëdha të çerekfinaleve, pasi Drita është kampion i Superligës dhe i Super Kupës, ndërsa Prishtina kampione e Kupës së Kosovës.

KALLXO.com ka kontaktuar analistin dhe trajnerin e futbollit Ardian Llumnica, për t’i analizuar ndeshjet çerekfinale dhe për ta parë se cila skuadër cilësohet favorite për këtë kompeticion.

“Ndeshjet për Kupë janë kompeticion i paparashikuar e aq më tepër kur ndeshjet hyjnë kështu me eliminim direkt. Jo vetëm këtu tek ne, por edhe në liga më të forta ndodh që një ekip nga një rang më i ulët të jetë në finale apo ta fitojë Kupën edhe pse janë raste të rralla. Përveç kësaj kur e dimë se ndeshjet e Kupës ishin edhe ndeshjet e para zyrtare të këtij viti, atëherë bëhen edhe më të paparashikueshme dhe luhen paksa me ngërç”, tha Ardian Llumnica, transmeton Gazeta Olle.

Për Vëllaznimin, i cili eliminoi Dritën, Llumnica thotë se ky klub po kalon në një ri-organizim të mirë dhe është ekip me seriozitet të madh të cilin e tregoi sot.

“Vëllaznimi po kalon në një riorganizim të mirë. Ai klub përveç historisë është edhe shumë simpatik sepse Gjakova jeton për atë klub dhe këtë seriozitet e tregoi në ndeshjen kundër kampiones në fuqi, Dritës, duke e eliminuar nga kupa një Dritë që nuk po ka rezultate të mira as në kampionat”, potencon Llumnica, duke thënë fjalë të mira për gjysmëfinalistin e vetëm nga Liga e Parë.

Analisti sportiv nuk i kursen kritikat për Prishtinën e Ballkanin, të cilat thotë se i nënçmuan kundërshtarët, ku Prishtina u eliminua ndërsa Ballkani kaloi në gjysmëfinale me vështirësi.

“Në këtë kompeticion është e rëndësishme që mos të nënçmohen kundërshtarët dhe mendoj që Prishtina dhe Ballkani, paksa i kanë nënçmuar , e që njëra u eliminua e tjetra për vrimë të gjilpërës kaloi në gjysmëfinale.   Ballkani nuk do mend që është skuadër më cilësore se Kika, pavarësisht dominimit ka hasur në probleme për shënim, uroj që mos t’i ketë këto probleme në kampionat sepse iu komplikohen punët për mbijetesë”,  potencon ai.

Për Llumnicen, fitorja e Feronikelit ndaj Ferizajt ishte e pritshme, dhe ai pret nga Nikli që edhe në Superligë të jetë konkurrues për titullin e kampionit.

“Feronikeli ka qenë favorit kundër një Ferizaj që prapë është vonë me organizim, me përgatitje, me transfere dhe çdo gjë. Feronikeli përkundër që me një gol fitoi tregoi seriozitetin e vet që njëjtë do të jetë edhe në kampionat”, thekson Ardiani për mediumin tonë.

Sa i përket ndeshjes Prishtina- Trepça ’89, që u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri”, Llumnica tha se ishte ndeshje e nivelizuar me një dominim të lehtë të kryeqytetasve. Por, sipas tij në këtë ndeshje trajneri Mirel Josa gaboi tek ekzekutimet e penalltive ku penalltinë kryesore ia la një lojtari të ri.

“Prishtina – Trepça 89’, ishte kryesisht ndeshje e nivelizuar me nuanca në posedim e dominoi Prishtina, sidomos në vazhdime. Mendoj që ’89-shi luajti më mirë faktikisht dhe u shquan disa individ aty me lojë shumë të mirë si futbollisti Hoti. Ndërsa Josa me Prishtinën bëri gabim të dyfishtë me Arbër Hoxhën, mendoj kështu sepse e inkuadroi vonë dhe prapë si në ndeshjen për Euro Ligë, i la penalltinë kyçe një futbollisti të ri”, shprehet Llumnica.