Ardian Ismajli: Më kritikuan të paditurit dhe injorantët, te Kosova as s’kisha e as s’kam konkurrencë!

Pandemia Covid-19 ka pezulluar të gjitha aktivitet sportive në gjithë botën. Ligat evropiane tash e disa javë kanë ndaluar të gjitha aktivietet, duke i liruar futbollistët. Nga kjo pandemi e kanë pësuar edhe futbollistët shqiptar, ndër ta është reprezentuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Ardian Ismajli.

Insporti ka zhvilluar një intervistë me Ismajlin, në të cilën është rrëfyer për gjendjen në të cilën është gjatë kësaj pandemie, stërvitja në shtëpi, uljen e pagës dhe i është përgjigur atyre të cilët mendojne se Shqipërinë e ka zgjedhur për shkak të frikës së konkurrencës në Përfaqësuesen e Kosovës.

Mbrojtësi i talentuar tash e katër vjet është duke e zhvilluar karrierën në futbollin kroat, me klubin e Hajduk Splitit. Ismajli këtë transferim e realizoi nga klubi prishtinas, KF 2 Korriku.

Pandemia jo vetëm që ka ndaluar aktivitetet, por ka shkaktuar edhe krizë financiare, duke bërë që shumë klube evropiane të kërkojnë nga futbollistët e tyre që t’i ulin pagat, për të mos rrezikuar stabilitetin ekonomik të klubit.

Kjo kërkesë i është bërë edhe yllit shqiptar, Ismajlit, i cili nuk ka hezituar që kërkesës së klubit t’i përgjigjet pozitivisht. Madje, ai për Insportin tregoi se është në gjendje të luaj edhe pa pagë, në mënyrë që klubi ta kalojë më lehtë këtë sfidë. “Të them të drejtën nuk ka ndikuar shumë edhe pse na mungon futbolli, por edhe pse kufizime në lëvizje kemi shumë pak, kjo na mundëson që të punojmë në stërvitje dhe ta mbajmë formën. Duke parë që klubet në përgjithësi janë në krizë financiare edhe ne jemi pajtuar që të pranojmë uljen pagës. Por jam i gatshëm të luaj edhe pa pagë për ta ndihmuar klubin”.

Hajduku i Splitit ka vendosur që pagat të ulen rreth 40 përqind dhe pasi të kalojë kriza kjo shifër do t’iu rimbursohet futbollistëve.

Kriza financiare e krijuar nga pandemia do të ndikojë edhe në transferimet e futbollistëve që do të realizohen gjatët afatit kalimtar të veres. Por, duket se mbrojtësi shqiptar e ka të kryer çështjen e së ardhmes së tij. Ish mbrojtësi i 2 Korrikut ka vendosur që fund të këtij sezoni të largohet nga klubi kroat, pasi interesim të madh për të ka pasur edhe gjatë afatit kalimtar të janarit që shkoi.

“Jo nuk ka ndikuar në ofertat për mua janë të shumta dhe shumë shpejt do të vendosi për të ardhmen time. Sa i përket afatit kalimtar të janarit, kam pasur oferta por klubi ka qenë kategorik kundër shitjes, gjë për të cilën jam pajtuar dhe e respektoj si vendim të klubit”.

Për shërbimet e tij gjatë afatit kalimtar dy klube italiane ishin të interesuara. Mediet kroate dhe shqiptare kanë raportuar se bëhet fjalë për Atalantan dhe Bolognan që kanë shfaqur interesim.

Mbrojtësi 23 vjeçar pasi mori vendimin për të veshur fanellën legjendare kuqezi, duke e ndërruar me atë të Kosovës u kritikua shumë nga analistë e trajnerë. Ai ishte pjesë e grupmoshës U21, mbante edhe shiritin e kapitenit. Megjithatë, ai ka një përgjigje për kritikat, të cilat nuk i bëjnë aspak përshtypje, pasi prezantimin e Shqipërisë e ndjen si obligim ndaj kombit shqiptar.

“Flasin të paditurit dhe injorantët. Konkurrencë në repartin e mbrojtjes në Përfaqësuesen e Kosoves nuk kam pasur dhe as që kam, këtë e dinë të gjithë për momentin. Ndërsa në Kombëtaren shqiptare në repartin e mbrojtjes konkurrenca është shumë e madhe dhe kjo ndikon pozitivisht tek të gjithë futbollistët, na stimulon që të punojmë shumë. Klubin e dua dhe jap maksimumin ndërsa për kombëtaren është privilegj të luash dhe të përfaqësosh kombin. Është obligim kombëtar që ta dërgojmë sa më lart. Ky është movimi im që të jap maksimumin në çdo ndeshje, qoftë ajo miqësore apo zyrtare”.

Ismajli ishte ndër futbollistët më të mirë të kombëtares shqiptare gjatë kualifikimeve për Kampionatin Evropian, përkundër se nuk arritën të sigurojnë biletën. Por, paraqitjet e tij ishin ndër më të mirat, ai ishte gjithmonë në formacionin e ish trajnerit Christian Panucci, po ashtu edhe tani në formacionin e Edy Rejës. Nga tifozët dhe analistë të ndryshëm, Ismajli shquhet për karakterin e tij luftarak në fushë dhe mendohet se mund të jetë kapiten i kombëtares në të ardhmen. “Për shirtin e kapitenit nuk e kam menduar asnjëherë, unë vetëm tentoj të fokusohem dhe të bëj më mirën për fanellën e kombit tonë. Nuk ka shqiptar që nuk e dëshiron një shtet dhe një kombëtare për momentin është e pamundur, megjithatë të ardhmes nuk i dihet”.

Ismajli në fund të intervistës zbuloi personin më komik në zhveshtoret e kombëtares, i cili është mesfushori sulmues Odise Roshi, ndërsa ende nuk ka ndonjë futbollistë që përkujdeset për muzikën para dhe pas ndeshjeve. “Personi me komik në kombëtare është Odise Roshi. Për DJ nuk mund të përcaktohem, të gjithë dëgjojmë muzikë të mirë, nuk kam ndonjë emer”.

Ismajli me Shqipërinë debutoi si zëvendësues më 17 nëntor të vitit 2018, në humbjen e thellë e pësuar nga Skocia (0:4) në Loro Boric në Shkodër. Pas kësaj ndeshje, ai bëri vendin në formacion duke startuar në të gjitha ndeshjet e radhës.

Deri më tani ka zhvilluar 11 ndeshje zyrtare me fanellën kuqezi. Për klubin kroat Hajduk Split në këtë sezon është paraqitur në 24 ndeshje.