Arbnor Morina rikthehet te ish-skuadra e tij?

Arbnor Morina zyrtarizoi sot largimin nga Prishtina, ani pse informacionet brenda klubit bardhekaltër pohojnë se ai prej kohësh nuk ka qenë aq aktiv.

Shkak i largimit ishte mos-përgjegjësia e klubit prishtinas pas një edicioni të dështuar ku pavarësisht investimeve marramendëse, nuk e fitoi asnjë trofe.

Gazeta Olle mëson përmes burimeve pranë Morinës që Drita e ka kontaktuar atë për t’ia ofruar postin e drejtorit sportiv.

Thuhet që palët janë afër marrëveshjes, por nuk dihet nëse në orët e fundit akordi është arritur përfundimisht apo jo.

Në aventurën e fundit në Gjilan, Morina drejtoi ekipin tjetër të qytetit, Gjilanin.

Ai u nda shumë keq me bardhekuqët, pas konfrontimeve pafund me tifozërinë Skifterat.

Gjithsesi, Morina ka bërë mirë me dy ekipet gjilanase, ani pse ka dështuar të fitojë ndonjë trofe.

“Kontrata ime më përfundon tani, e unë nuk po pajtohem me disa gjëra në klub”.

“Për këto gjëra e kam njoftuar edhe presidentin e klubit”, deklaroi për Metron Morina pas largimit nga Prishtina.

“Gjërat janë të lidhura me mos fitimin e titullit dhe kupës, si dhe me mospërgjegjësinë për këtë situatë”.

“Të gjitha këto dhe arsyet tjera do t’i bëj publike në kuvend të klubit dhe pastaj në opinion”, shtoi ai. /Gazeta Olle/