Arben Beqiri i dërgon një mesazh të fortë Feronikelit

Arben Beqiri ka konfirmuar se Trepça ’89 nuk ka fikë nga Feronikeli dhe se në Drenas shkon për të marrë pikë.

KF Feronikeli është lider në IPKO Superligën e Kosovës në futboll, kurse në kuadër të javës së 23-të do të takohet me Trepçën ’89 në stadiumin “Rexhep Rexhepi”. Për t’i arritur pikët e plota skuadrës së “Niklit” dhe për ta vazhduar garën për titull i duhet t’i djersitet shumë, pasi portieri i 89-shit, Arben Beqiri, të hënën ka thënë se synimi i skuadrës nga Mitrovica është të marrë rezultat pozitiv në Drenas. Ai e ka lavdëruar skuadrën lidere, por beson se skuadra e tij mund të dalë e pamposhtur nga kjo ndeshje që pritet të jetë shumë interesante për faktin se vendësit kërkojnë pikët e titullit e mysafirët pikët e mbijetesës. “Na pret një ndeshje e vështirë ndaj një kundërshtari që po gëzon formë të lartë dhe po lufton për titull, por edhe ne kemi objektivin tonë dhe nuk do të shkojmë të dorëzuar. Synimi ynë është rezultati pozitiv dhe besoj se me angazhim maksimal mund t’ia arrijmë këtij qëllimi”, ka thënë Beqiri për “Epokën e re”, përcjellë GazetaOlle.