Arb Manaj: Kam oferta nga vendet e Ballkanit, për të ardhmen vendosë klubi!

Ishte një vit i jashtëzakonshëm për sulmuesin shumë perspektiv të Trepçës ’89, Arb Manajn.

Me paraqitjet e tij nën fanellën e skuadrës mitrovicase, ai sot është mes sulmuesve më të mirë në Kosovë.

Sigurisht që golat e realizuar sidomos në gjysmën e parë të edicionit 2019/20, kanë bërë që në adresë të Manajt të mbërrijnë oferta të ndryshme.

Duke u shprehur shumë i lumtur që ishte pjesë e formacionit të vitit në Superligë, Manaj foli për gazetën edhe rreth së ardhmes.

“Ka oferta shumë, mirëpo kam kontratë me Trepçën ’89 dhe duhet ta respektoj”, deklaroi Manaj për Gazetën Olle.

“Të ardhmes nuk i dihet, mirëpo 89-shi është klubi që më ka kthyer në futboll dhe më ka shëruar, andaj cdo vendim që e merr klubi për shitjen apo qëndrimin tim, e respektoj në maksimum”, shtoi ai.

I pyetur se cilat skuadra janë interesuar për shërbimet e tij, Manaj u shpreh që kishte “sirena” edhe jashtë vendit.

“Emra skuadrash nuk mund të jap, mirëpo kam pasur edhe oferta jashtë shtetit, kryesisht në Ballkan”, u shpreh top-golashënuesi i “Minatorëve”.

Manaj u përzgjodh nga trajnerët e Superligës në mesin e më të mirëve të vitit 2019.

Ai zuri pozitën e sulmuesit të djathtë në 11-shen e vitit. /Gazeta Olle/