Ante Çaçiq reagon për ndeshjen e ndërprerë Kroaci – Kosovë

Trajneri kroat Ante Çaçiq ka hedhur poshtë mundësinë që ndeshja e ndërprerë ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës për shkak të shiut të zhvillohet nesër.

I pyetur nga mediat kroate se kur Kroacia dhe Kosova do të luajnë serish, pasi njëri nga terminët e mundshme ishte për nesër në mëngjes, Ante Çaçiq tha se nuk do të luajnë të dielën.

“Sigurisht se nuk do të luajmë të dielën. Nesër serish do të kemi stërvitje dhe të përgatitemi për rrugë”, ka thënë ai.

Kroacia të martën luan si mysafir kundër Turqisë.

Ukraina ndërkohë me fitoren kundër Turqisë ka marrë vendin e parë në grup me 14 pikë. Islanda ka pësuar humbje nga Finlanda dhe ka mbetur me 13 pikë, po aq sa ka edhe Kroacia, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.

“Shkojmë për fitore në Turqi. Humbja e tyre nuk do të thotë asgjë për ne, sikur edhe humbja e Islandës”, ka thënë Çaçiq.

Federata e Futbollit e Kroacisë të gjithë shikuesve me bileta të blera ka premtuar se do t’ua kthejë paratë.