Ankohet te Gjilani: Arbitrat po i vendosin ndeshjet, Prishtinë, urime fitoren e pamerituar

Ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Gjilanit, nuk ka  kaluar po polemika.

Gjilanasit ankohen në ndarjen e drejtësisë. Prishtina e fitoi këtë ndeshje me shifrat 1:0 me një gol të realizuar nga penalltia përmes sulmuesit Berat Hyseni.

Ndihmësi i trajnerit të Gjilanit,  Bylbyl Sokolit, Megzon Visoka është ankuar ashpër pas ndeshjes gjatë një prononcimi për Gazetaolle.com. “Ishte një ndeshje shumë e fortë dhe me rendësi të madhe si për neve ashtu edhe për Prishtinën. E dominuan ndeshjen në tërësi dhe për këtë duhet përgëzuar lojtarët të cilët luajtën me shumë përgjegjësi ashtu siç ishim marr vesh para ndeshjes. Mirëpo, ajo çka ndodhë në futbollin e Kosovës ne aspektin e ndarjes së drejtësisë është për çdo kritikë dhe duhet rishikuar punën e arbitrave sepse janë këta që duan të marrin primatin dhe vëmendjen në një ndeshje duke i vendosur ato”, deklaroi Visoka.

“Nuk e di deri kur do të vazhdohet kështu me favorizime për dike e me dëmtime drastike dhe të qëllimshme për dikë tjetër. Loja e futbollit në Kosovë në ketë pranverë është duke e humbur kuptimin dhe kjo me fajin kryesor të arbitrave të cilët po “gabojnë” me dashje. Shpresojmë qe ky problem dhe kjo dukuri më negative e futbollit tonë të marr fund njëherë e përgjithmonë, sepse është turp dhe e pakuptimtë që arbitrat të vazhdojnë me këto skenar dhe me këto teke të tyre t’i dëmtojnë skuadrat, e në këtë rast Gjilanin. Komisionet duhet t’i rreken punës dhe t’i eliminojnë këto dukuri, sepse në përgjithësi dhe më së shumti po dëmtohet futbolli kosovar. Prishtinës i uroj fitoren e pamerituar”, tha Megzon Visoka.

Drejtësinë në ndeshjen Prishtina e ka ndarë gjyqtari nga Drenasi, Hajriz Hajdari. /Olle