Ankesa e KEK-ut, Feronikeli dyshon tek konkurrentët

 Feronikeli është eliminuar nga DigitAlb Kupa e Kosovës, pas vendimit të Komisarit të Garave të FFK-së, të cilët aprovuan ankesën e KEK-ut. “Elektricistët” u ankuan se në takimin e së martës të fituar me penallti nga Feronikeli, mesfushori i kësaj skuadre, Ibrahim Peci, nuk kishte të drejtë loje.

Feronikeli e ka pranuar këtë vendim, por hedh gishtin tek skuadra konkurrente për ta fituar Kupën, pasi sipas tyre, ato ndikuan që KEK-u të ankohet.

“Besoj që janë zbatuar rregullat, por më shumë jemi të mërzitur me prapaskenat që janë zhvilluar deri tek ankesa, pasi KEK-u nuk ka pasur asnjë arsye të ankohet. Madje, edhe janë gëzuar kur kanë humbur, pasi vetë kanë thënë që nuk kanë mjete për të vazhduar tutje”, tha drejtori i Feronikelit,Artan Berisha për GazetaOlle.com.

“Ne vetëm duam që ata që e kanë inicuar ankesën ta fitojnë Kupën”, shtoi me shaka Berisha.

Feronikeli në dy vitet e fundit kishte fituar Kupën.

Olle mëson se edhe Tefik Çanga është ankuar për ndeshjen me Besën, por në momentet e fundit e kishin tërhequr ankesën. /Olle/