Allegri: Pogba do të luajë këtu

Trajneri i Juventusit, Masimiliano Alegri, ka lëshuar një intervistë të gjatë për televizionin italian “Sky”, ku ka bërë edhe një bilanc të plotë për lëvizjet e klubit bardhezi në merkaton verore, duke nisur nga e ardhmja e disa lojtarëve kryesorë të grupit aktual.

Pogba? “Klubi nuk ka nevojë që ta shesë, por varet vetëm nga vullneti i tij. Nëse ai do të kërkojë largimin, atëherë do të mendojmë ta shesim, por deri tani nuk ka kërkuar asgjë. Kam folur me të dhe më ka thënë që është i lumtur te Juventusi, ku mund të vazhdojë të rritet, sepse është shumë i ri”.

Tevez? “Nuk po mendoj për zëvendësin e tij, por për skema të ndryshme, në varësi të lojtarëve që afrojmë. Morata është një pikë fikse, por kanë ardhur edhe Dybala e Zaza, pa harruar Manxhukiç, që ka shënuar kudo dhe besoj se do të shkëlqejë edhe në Itali. Jam shumë i kënaqur që e morëm”.

Oskar? “Është lojtar që në pëlqen, por nuk na e japin, ndaj kemi hequr dorë. Ndoshta deri në mbyllj të merkatos do të vijë edhe një mbrojtës krahu”.

Një fjali edhe për problemet që po has Vidal në Kili, ku ka bërë një aksident rrugor duke qenë i pirë në timon: “Është e vështirë të japësh një gjykim nga larg. Vidal është mirë dhe po luan në nivele të larta, kaq më mjafton”.