Aliti-Skënderbeu, ndodhë e papritura

Skënderbeu pritet të bëjë disa ndryshime në afatin kalimtar të janarit, megjithatë po tregohet e kujdesshme sa i përket largimeve dhe afrimeve, shkruajnë mediat shqiptare.

Largimet janë ato që kanë bërë më shumë zhurmë këtë sezon te Skënderbeu, transmeton Gazeta Olle.

Pavarësisht se interesimi i Malmos dhe dy ekipeve të tjera në lidhje me shërbimet e Fidan Alitit është ende konkret, korçarët duket se kanë vendosur që të bllokojnë lojtarin të paktën deri në fund të sezonit.

Largimi i Alitit dhe pamundësia për të marrë një tjetër futbollist në këtë repart, duket se lë një gropë të madhe tek ekipi në fazën mbrojtëse.

Për këtë arsye, duke mos pasur alternativë mbulimi, Skënderbeu ka vendosur që të mundohet të bindë klubet e interesuara për të mbyllur që tani marrëveshjen, por për të lënë të lirë Alitin vetëm në muajin qershor me hapjen e afatit të verës.

Vetëm një shifër e lartë, e dhënë nga ndonjë ekip për shërbimet e kosovarit, mund të bënte që klubi të ndryshonte menjëherë kurs dhe të largonte Alitin që në janar.