Akil Gjakova fiton ndaj xhudistit rus dhe merr medaljen e artë

Akil Gjakova është shpallur kampion në kategorinë e peshave deri në 73 kilogramë në Grand Prixin e Budapestit në Hungari, duke e shtuar edhe një medalje të artë në listën e sukseseve të tij.

Në finale, Akil Gjakova u tregua shumë i fuqishëm për xhudistin rus Georgii Elbakiev, të cilën e mposhti për t’ia siguruar Kosovës medaljen e parë të artë në këtë garë, raporton Gazeta Express

Kosovari kishte treguar formë të mirë gjatë gjithë rrugëtimit deri në finale. Ai e kaloi rrethin e parë pa luftë, ndërsa në rrethin e dytë e mposhti xhudistin kanadez, Constatin Gabun me Ippon, para se të triumfonte në rrethin e tretë kundër zviceranit Nil Stump.

Akili tregoi se dëshiron medalje, kur në çerekfinale e mundi xhudistin japonez, Masashi Ebinuma, para se ta sigurojë atë në gjysmëfinale, duke e mundur garuesin nga Uzbekistani, Khikmatillokh Turaev, falë tri gabimeve të tij.

Kjo është medalja e gjashtë për 23-vjeçarin në Turneun Botëror të IJF, ku përfshihen tituj të Masters, Grand Slams e Grand Prix. Ai më herët e kishte fituar të artën në Paris dhe në Zagreb, të dyja në vitin 2018. Ndërsa, tri medalje të argjendta i kishte fituar në Hagë, Abu Dhabi dhe Tunis, po ashtu të gjitha në vitin 2018.

Në këtë garë, Kosovën e përfaqësuan dje edhe tri xhudiste – Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi. Këto dy të fundit ia fituan Kosovës nga një medalje të argjendtë, ndërsa Majlinda e mbylli garën pa medalje.

Suksesin e Akil Gjakovës do të tentojë ta përsërisë nesër edhe Loriana Kuka, e cila garon në kategorinë deri në 78 kilogramë.