Agron Selmani: Ja si e mbyllëm vjeshtën në pozitën e parë

Ferizaj është ranguar në pozitën e parë pas përfundimit të stinorit në Ligën e Parë të Kosovës në futboll.

Merita të mëdha në shpalljen e kësaj skuadre kampione vjeshtore, sigurisht se ka edhe trajneri Agron Selmani.

Ai në një prononcim për Gazetaolle.com, ka thënë se nuk ka qenë aspak e lehtë që të arrihet një gjë e tillë. “Ferizaj është përballur me probleme edhe në edicionin e kaluar në Superligë dhe rënia nga kategoria elitare, ka lënë pasoja në klub. Kemi qenë klub që shumë vonë apo i fundit i kemi filluar përgatitjet për këtë kampionat. Fillimisht ambiciet tona kanë qenë sigurimi i mesit të tabelës, por sjellja jonë mund të them strategjike ka qenë që çdo ndeshje të marrim një e nga një.

Nuk mund të them se ka qenë e lehtë edhe pse mund të duket ashtu. Shpesh kam thënë se Ferizaj është në fazën e emergjente dhe ndeshja e fundit me Trepçën, do të thotë tejkalimi i asaj situate në mënyrë që stinorin pranveror ta presim më të qetë”, ka thënë Agron Selmani për ‘Olle’.

Ai ndër të tjera deklaroi se merita në këtë sukses kanë të gjithë në klub. “Suksesi vjen nga kryesia e klubit, shtabi teknik dhe lojtarët. E para janë rezultatet e arritura, mirëpo një sukses të madh e kemi arritur edhe me ndërtimin e një imazhi të ri për klubin. Në sezonin pranveror duhet të punojmë shumë në rikthimin e besimit të tifozëve. Suksesin ua dedikojmë atyre që besuan tek ne”, shtoi Selmani.

Sipas tij, klubi do të organizohet edhe më mirë në pranverë, derisa beson se skuadra do të përforcohet edhe me disa futbollistë. (Gazetaolle.com).