Agim Ademi në Gjakovë, viziton lidhjen rajonale atje

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka vizituar sot qytetin e Gjakovës për t’u takuar me krerët e lidhjes rajonale të futbollit atje.

Kështu njofton vetë shtëpia më e madhe e futbollit kosovar, duke informuar se vizita e Ademit bëhet për të shikuar punimet në fushën sintetike, shkruan GazetaOlle.com.

Njoftimi i FFK’së:

“Presidenti Agim Ademi, sot, ka qëndruar për vizitë në Lidhjen Rajonale të Futbollit të Gjakovës, ku është pritur nga Luan Vokshi dhe strukturat tjera të LRFGJ-së. Me këtë rast, presidenti Ademi ka parë nga afër edhe punimet në fushën me bari sintetik që janë në përfundim e sipër, investim ky i përbashkët i FFK-së me Ministrinë e Sportit.

Gjatë qëndrimit në Gjakovë, Ademi ka vizituar edhe KF “Vëllaznimi”, ku e ka përgëzuar presidentin e këtij klubi, Agim Cana, për ambientet e reja dhe moderne të klubit gjakovar. Gjatë këtij takimi u diskutuan edhe projektet e ndryshme në përmirësimin e infrastrukturës së klubit gjakovar, si dhe për zhvillimet e futbollin tonë në përgjithësi.

Ndërkohë, vizitën në Gjakovë, presidenti Ademi e ka përmbyllur me takimin që e ka mbajtur me përfaqësuesit e Ligës së Veteranëve, të cilëve u dha përkrahje të fuqishme për fillimin sa më të shpejtë të garave nën ombrellën e FFK-së.