Agim Ademi jep përgjigje për dënimin e mundshëm të Kosovës pas incidentit në takim ndaj Malit të Zi

Ndeshja Kosova – Mali i Zi e zhvilluar të hënën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë kaloi me një atmosferë të zjarrtë. UEFA e kishte cilësuar këtë ndeshje me “rrezikshmëri të lartë”, çka bëri që FFK-ja me organet e sigurisë t’i ndërmarrë të gjitha masat që gjithçka të shkojë mirë.

Në fakt organizimi ishte i mirë përveç një incidenti të shkaktuar nga tifozët malazezë që i sulmuan personat e sigurimit.

UEFA e ka hapur këtë rast, derisa numri një i FFK-së, në një bisedë për Zërin nuk beson se mund të merren masa të mëdha ndaj Kosovës.

“Ndeshja me Malin e Zi ka qenë më e vështirë, pasi UEFA e ka cilësuar si një ndeshje me ‘rrezikshmëri të lartë’ dhe njerëzit e UEFA-s kanë ardhur e kanë monitoruar çdo detaj.

Gjithçka ka shkuar në rregull, përveç një incidenti të vogël, i lokalizuar, ku për një moment ka plasur sherri mes tifozëve mysafirë dhe sigurimit e i cili nuk ka të bëjë aspak me tifozët tanë.

Atë incident nuk do ta quaja si provokim, por si një incident të rastit.

Përndryshe, UEFA e ka parë dhe e ka cilësuar se provokimi ka qenë nga mysafirët. Gjithsesi, vendasit janë përgjegjës për siguri dhe për incidente të tilla mund të dënohemi, por nuk pres ndonjë dënim të madh, pasi nuk kemi qenë ne ata që e kemi shkaktuar, përkundrazi e kemi ulur tensionin”, ka thënë Agim Ademi për Zërin.