Agim Ademi i ekzaltuar: Jemi Dardanë – të gjithë për një, një për të gjithë

Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka përgëzuar futbollistët e Kosovës për suksesin e arritur në Sofje përmes një letre të publikuar në faqen zyrtare të federatës.

Ademi ka shkruar se fitorja ndaj bullgarëve në Sofje do të hyjë në analet e historisë së Kosovës, si e para në kualifikimet për një garë si Euro 2020, shkruan GazetaOlle.com.

Për Ademin funksionin motoja: Të gjithë për një, një për të gjithë.

Shkrimi i tij i plotë:

“14 ndeshje pa humbje, prej tyre 9 fitore e 5 barazime tregojnë progresin e jashtëzakonshëm që ka bërë Kombëtarja e Kosovës në futboll. Fitorja kundër Bullgarisë do të shkruhet në analet e historisë, ngase është e para në kualifikimet për Kampionatin Evropian.

Kombëtarja jonë tashmë e ka krijuar mentalitetin e fituesit dhe frymon si një familje e vërtetë. Ata që luajnë e japin maksimumin në fushë, kurse ata që janë në bankinë i japin mbështetje të fuqishme bashkëlojtarëve gjatë tërë ndeshjes. Kjo është Kosova, të tillë janë Dardanët tanë, një për të gjithë – të gjithë për një, prandaj edhe suksesi nuk ka se si të mungojë.

Me lojërat e treguara djemtë tanë kanë merituar të kenë më shumë pikë se kaq, por në futboll shpesh fati nuk të përcjellë. Megjithatë, fitorja në Sofje na e ka hapur rrugën e suksesit. Tani objektivi i kualifikimit në Evropian nuk është më vetëm ëndërr. Kosova ka cilësi, Kosova ka staf të trajnerëve që punojnë me përkushtim e përgjegjësi, ka djem të artë që janë të gatshëm ta shkruajnë një faqe të re në historinë e saj.

Dëshira, vullneti e guximi për ta ndjekur këtë objektiv ekziston, ky ekip kombëtar po i jep kënaqësi çdo familje dhe po e bën krenar një komb të tërë. Tashmë të gjithë kanë respekt të madh për Kosovën. Djemtë tanë Dardanë janë shndërruar në ambasadorët më të mirë të shtetit. Ata janë storie e suksesit e bashkë me ta edhe tifozët, të cilët po tregojnë kulturën më të lartë sportive në çdo vend ku udhëtojnë për ta përkrahur fuqishëm ekipin e tyre të zemrës.

Unë si president dhe KE i FFK-së gjithmonë do t’i qëndrojmë afër djemve tanë të artë dhe do t’i mbështesim fuqishëm në çdo sfidë.

Në emrin tim dhe të KE të FFK-së i falënderoj djemtë për maksimumin e dhënë në fushë dhe i përgëzoj për fitoren e merituar, derisa uroj që Valoni, Hekurani, Herolindi e Arbëri të kthehen sa më shpejtë në ekipin kombëtar më të bukur në botë. Gjithashtu falënderoj prindërit e secilit futbollist që i rriten dhe edukuan aq mirë dhe në frymën e atdhedashurisë. Gjithashtu, përgëzoj edhe KE dhe stafin organizativ të ndeshjeve që janë gjithmonë në nivelin më të lartë të detyrës.

Le t’u prijë e mbara, shëndeti dhe fati djemve tanë në arritjen e objektivave madhore. Për atdheun, për Kosovën tonë dardane.”