Agim Ademi flet për Trepçën ilegale në Veri të Mitrovicës

Federata e Futbollit e Kosovës duket se është e vendosur për të mos lejuar më organizimin e ndeshjeve në Kosovë nga Federata e Futbollit e Serbisë.

I ashtuquajturi klub Trepça nga Mitrovica, në pjesën e veriut, ka bërë të ditur se sivjet do të garojë në Ligën Serbe, në grupin Perëndimi (niveli i tretë i futbollit në Serbi), por presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka theksuar se do të bëjnë gjithçka për të mos lejuar që ndeshjet e një kampionati nga vendi fqinj të zhvillohen në Kosovë, përcjell botasot.

“Ne si federatë jemi të hapur për të gjitha klubet serbe nga Kosova. Nëse bëhet fjalë për ndonjë Trepçë nga territori i Serbisë atëherë ajo mund të luajë në Ligën Serbe. Këtu ajo nuk do të mund të luajë, jam i sigurt për këtë dhe ne nuk do të lejojmë diçka të tillë.

Unë i kam bërë të gjitha hapat e nevojshëm, e kam njoftuar policinë, kam reaguar edhe te UEFA dhe jam i sigurt se as ajo nuk do të lejojë diçka të tillë. Disa herë kam biseduar edhe me përfaqësuesit e futbollit serb në kuadër të UEFA-s dhe sigurisht se do të gjendet ndonjë zgjedhje”, ka thënë Ademi për RTK 2

Presidenti i FFK-së ka folur edhe për gjuhen e urrejtjes dhe sloganet e paraqitura në ndeshjen e fundit në Europa League që kampioni ynë e zhvilloi në Bratislavë kundër Slovanit.

“Edhe këtë herë kishim përzierje të politikës dhe sportit, gjë e cila mendoj se nuk është mirë të ndodhë. Mikpritja për ekipin nga klubi nikoqir ishte e mirë, por nga tribunat kishte fyerje dhe slogane të ndryshme, kurse stadiumi nuk është vend për këto gjëra. Jam i bindur se UEFA do të reagojë, ngase klubi nga Bratislava edhe para ndeshjes ishte paralajmëruar për ndodhitë e tilla”, ka shtuar Ademi.