Afrim Tovërlani ‘bombardon’ me këto deklarata

Feronikeli në dy edicionet e fundit ka arritur që ta fitojë titullin e kampionit në elitën e futbollit kosovar.

Skuadra e drejtuar nga strategu i futbollit kosovar, Afrim Tovërlani, edhe në këtë edicion ka të njëjtat synime.

Gjithsesi, ekipi nga Drenasi kur kanë kaluar gjashtë xhiro, ndodhet në pozitën e gjashtë me 12 pikë të tubuara, shtatë më pak se lideri Prishtina.

Gazetaolle.com e ka realizuar një intervistë me trajnerin më të suksesshëm kosovar, Afrim Tovërlani.

Gjashtë lojë 12 pikë, shtatë më pak liderit Prishtina. A janë pak?

Tovërlani: Janë pak për kapacitetin që kemi. Mirëpo, në asnjë nuk patëm fat. Të gjitha ndeshjet i kemi dominuar, kemi krijuar shumë raste, por nuk i kemi shfrytëzuar. Realizimi ka qenë arsyeja pse nuk kemi më shumë pikë. Shtatë pikë nuk janë asgjë nëse e dimë se edhe sa ndeshje kanë mbetur deri në fund. Më shumë do të qesh ai që e përfundon mirë se sa ai që e fillon mirë. Megjithatë, jam ithtar që gjërat t’i tregojë koha.

Përpos realizimit, a po çalon diku tjetër Feronikeli?

Tovërlani: Jo sepse po t’i realizonim vetëm 50 për qind të rasteve, nuk do të kishim asnjë humbje. Kampionati vetëm sa ka filluar të nxehet. Tashmë po e shoh se në çfarë niveli ka arritur Feronikeli kur çdo skuadër e cila fitonte ndaj nesh, gëzohej sikur të shpallej kampione. Dera për titull kampioni kalon nga Drenasi dhe Feronikeli.

 

Ndër deklaratat tuaja që më ka bërë më shumë përshtypje këto ditë, ka qenë ajo pas ndeshjes me Prishtinën ku pohuat se Prishtina e zhegiti lojën dhe se nuk i ka hije kësaj skuadre të bëjë gjëra të tilla, por kjo skuadër është lidere. Si e komentoni ketë fakt?

Tovërlani:  Është e drejt e tyre që t’i zhvillojnë ndeshjet si të duan dhe është referi ai që e vlerëson se a ka zhargitje apo jo. Do të shohim në vazhdim kur dikush tjetër do tua zhegitë lojën. Deri tash Prishtina ka luajtur për rezultat dhe ka patur ekstremisht shumë fat duke u nisur nga ndeshja me Gjilanin dhe Lirinë. Se a do t’i përcjellë fati ata apo dikë tjetër, mbetet të shihet. Mos harroni se kartonët e kuq të dhënë ndaj Feronikelit në ndeshjen ndaj Drenicës, para ndeshjes sonë me Prishtinën, kanë qenë faktor determinant dhe janë argumentuar nga analistët si të pa drejtë.

 

Cilat ekipe ju kanë bindur se mund ta luftojnë për titull në ketë fillim edicioni?

Tovërlani: Prej vendit të gjashtë, të gjitha ekipet. Kanë kaluar vetëm shtatë xhiro, por nga ajo që kam parë, mendoj se çdo ekip mund ta mposht secilin ekip. Kampionati është maratonë dhe ka shumëçka për tu dëshmuar. Kush do të qëndrojë fizikisht, kush ka bankë më të fortë, do të kalojë më mirë.

 

Për fund edhe diçka jashtë Feronikelit. Superliga po ‘mbushet’ me trajner të huaj.

Pas Lutz Lindemann (Prishtina), edhe Drita e ka angazhuar boshnjakun Amir Alagiq. Si e vlerësoni ketë fakt?

Tovërlani:  Gjë pozitive sepse mund të mësojmë nga ta, gjithsesi nëse kanë udhëhequr ekipe të mira dhe kanë arritur rezultate e tituj. Përndryshe, vështirë se një trajner vjen në Kosovë nga një vend ku mund të punojë dhe të paguhet më mirë dhe ku ka më shumë mundësi. Realisht, Kosova ofron pak mundësi dhe vijnë ata që nuk gjejnë vend në vendet e tyre. Ndoshta e kam gabim.

 

loading...