Dyshja e Prishtinës: Duket sikur kemi nisur nga fillimi, e pazakontë me maska dhe doreza!

Pritjes së gjatë i erdhi fundi. Me maska e me doreza futbollistët Bardhekaltër kanë nisur stërvitjet dhe po bëhen gati për 11 ndeshjet e mbetura në Superligë, si dhe për ndeshjet gjysmëfinale të Kupës.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, të hënën u dha dritën e gjelbër klubeve kosovare për t’i nisur stërvitjet dhe këtë leje qysh nga dita e parë është duke e shfrytëzuar Prishtina e cila po përgatitet në Kompleksin Sportiv në Bernicë, shkruan Zeri.info.

Mesfushori i talentuar i Prishtinës, Lorik Boshnjaku i di synimet e skuadrës, por sipas tij, për t’i arritur ato duhet një punë e madhe e përbashkët. Prishtina është në garë edhe për titullin e kampionit dhe për Kupën e Kosovës dhe kjo bënë që presioni të jetë paksa më i madh.

“Është pak më ndryshme sesa herëve tjera për shkak të kësaj pandemie që na ra të ballafaqohemi të gjithë më të. Sigurisht është ndjenjë e mirë që u rikthyem dhe po na duket sikur e kemi nisur nga fillimi e jo që bëhet fjalë për një kampionat që ka mbetur në gjysmë”, ka vlerësuar Boshnjaku, i cili beson se në këto ditët e mbetura do ta rrisin ritmin e punës dhe do të arrijnë të jenë gati për ndeshjet e mbetura.

I bindur për një Prishtinë të fortë pavarësisht situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 është sulmuesi Ahmed Januzi. Ai beson se skuadra me një punë intensive do ta arrijë formën e nevojshme fizike për ta përballuar sistemin e ngjeshur të garave.

“Na gëzon fakti që po rikthehemi në stërvitje. Është paksa e pazakontë të shohësh lojtarët duke stërvitur me doreza dhe me maska në fytyrë por kjo është situata dhe ne po përshtatemi”, ka thënë Januzi për Zeri.info, duke besuar se ekipi do të arrijë një formë të qëndrueshme fizike deri në fillimin e garave.

“Gjendja fizike është e mirë, por koha e shkurtër deri në nisje të kampionatit është e shkurtër. Ne po stërvitemi mirë dhe të marrim gjendjen më të mirë fizike për ta filluar kampionatin ashtu siç duhet”, ka vlerësuar “bomberi” i Prishtinës.