Ademi iu përgjigjet në këtë mënyrë akuzave të zëdhënësit të Prishtinës

Pas akuzave që zëdhënësi i KF Prishtina, Avni Durmishi i bëri ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës dhe nënkryetarit të saj Agim Ademit, Insporti ka kontaktuar Ademin për të marrë një reagim.

Kujtojmë se Durimishi kishte pohuar se Ademi po bën luftë ndaj Prishtinës, në atë që është deklarata e radhës e njerëzve në dhe rreth KF Prishtina dhe Komunës së Prishtinës, të cilët po kërkojnë që ndeshja e fundit e Superligës, ndërmjet Prishtinës dhe Dritës, që është vendimtare për përcaktuesin e kampionit të Kosovës, të zhvillohet në Prishtinë.

Agim Ademi për Insportin deklaroi se “nuk merrem me aso akuzash dhe me ata njerëz fare. Të them të drejtën as që e kam lexuar se çka paska deklaruar (Durmishi), por nëse e ka përmendur federatën dhe ka nevojë për reagim, atëherë këtë do ta bëjë zyra. Sa për atë që më ka përmendur mua, as që merrem me atë punë fare”.

Stadiumi i Prishtinës është duke u rinovuar tash e sa kohë dhe projekti, i paraparë të kushtojë 4 milionë, tashmë do të kushtojë më shumë se 8 milionë Euro dhe pritet të përfundojë në fund të qershorit, pas shtyrjeve dhe problemeve të shumta.