Abrashi mund të përfundojë tek skuadra e ‘shqiptarëve’

Futbollisti fantastik i Kombëtares së Shqipërisë do të largohet nga skuadra e tij Grasshopers, pasi në fund të sezonit i skadon kontrata. Por, më shumë sesa skuadra si Verder Bremen, Xhenoa, Atalanta, Kievo dhe Torino, mësohet se mesfushori është i joshur sërish nga kampionati vendës, por nga: Bazeli.

Sipas mediave helvetike, për shërbimet e 24-vjeçarit interesim të madh ka shprehur ekipi kampion i Zvicrës, i cili e kërkon si zëvendësim për të larguarit Serej Die dhe Marçelo Diaz. K

ujtojmë se edhe në verën e 2014-ës u fol shumë se një lojtar si Shkëlzen Gashi (edhe ai te Grasshopersi deri në atë kohë) do mund të kalonte në një kampionat më të fortë jashtë Zvicrës, por më pas ai zgjodhi të luante për Bazelin, natyrisht referuar edhe kontratës shumë të mirë që mori nga ky klub. Duket se në të njëjtën rrugë do të shkelë edhe Abrashi, i cili e theksoi para disa ditësh se nuk ka ndër mend që të rinovojë me Grasshopersin. “Të gjithë e prisnin largimin tim gjatë muajit janar, por nuk ika, pasi klubi s’më lejonte.

Natyrisht që një tjetër shkak ishte se në verë është më e përshtatshme të ndërrosh klub, pasi ambientohesh më lehtë. Pra, përfundimisht do të largohem në merkaton e verës. Grasshoper më ka ofruar kontratë të re, por unë nuk e kam pranuar. Këtu kam kaluar pesë vite të mrekullueshme të karrierës sime, por ka ardhur koha që të bëj hapin e madh dhe të shkoj në ndonjë kampionat më të rëndësishëm. Gjatë janarit kishte interesime të ndryshme nga klube gjermane dhe disa skuadra në Itali, por unë vendosa të qëndroj këtu”, tha mesfushori.