Nuhiu komenton fitoren dramatike: Bravo i qoftë këtij lojtari!

Trajneri i Dritës ka komentuar fitoren 1:0 ndaj Dukagjinit të Klinës, të luajtur sot në Gjilan.

Skuadra e tij ia doli të fitojë vetëm falë penalltisë së akorduar në minutën 90.

Penalltinë në gol e shndërroi Izair Emini.

Rasteve të shumta të lojtarëve të Dritës, “JO” iu tha portieri Altik Muhaxhiri, i cili mori lëvdata nga trajneri i Dritës.

“Kjo është bukuria e futbollit. Sa herë mendohet se këto ndeshje janë të lehta, edhe pse nuk e morëm të lehtë, del e kundërta. Krijuam shumë raste, bravo i qoftë portierit të tyre (Muhaxhiri) që e mbajti skuadrën në lojë. Nuk u dorëzuan për asnjë moment”, theksoi Nuhiu për SSK, raporton Gazeta Olle.

I pyetur për barazimin 1:1 të Ballkanit me Llapin, që i shkoi përshtati Dritës ai shtoi:

“Kampionati është shumë interesant, nga java në javë po ndryshon tabela. Personalisht shoh vetëm ndeshjet tona, ekipin tim, dhe nga kundërshtari në kundërshtar mundohemi të marrim maksimumin”.

Leci e Gërbeshi munguan ndaj Dukagjinit, ndërsa në javën e ardhshme Drita është mysafire e Feronikelit, ku pritet të jetë e kompletuar.

“Kthehen të gjithë për ndeshjen e radhës ndaj Feronikelit. Kur je i kompletuar është më mirë, sepse mund të bësh kombinime. Për Feronikelin e dimë që është kampioni aktual, tani janë me trajner të ri dhe do të përgatitemi për të bërë një ndeshje të mirë”, përfundoi Nuhiu. /Gazeta Olle/