A mund t’i zhvillojë Kosova ndeshjet në Prishtinë, vjen konfirmimi zyrtar i FBK-së

Përfaqësuesja e Kosovës do të mundohet ta befasojë Lituaninë në ndeshjen e parë eliminatore për “Botërorin 2019”, edhe pse “Dardanët” e pranojnë se mysafirët janë favoritë më 24 nëntor.

Verdhekaltrit do ta nisin javën tjetër aventurën në eliminatoret e “Botërorit 2019” dhe fati i keq i tyre është se menjëherë do të përballen me një superfuqi të basketbollit evropian – Lituaninë.

FBK: Salla do të jetë gati me kohë

Edhe pse punimet kanë nisur me disa ditë vonesë, drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës shprehen optimistë se punimet do të përfundojnë me kohë dhe se Kosova do t’i zhvillojë ndeshjet si vendës në shtëpi.

Pak ditë para lojës me Lituaninë, FIBA do ta dërgojë një përfaqësuese për ta parë gjendjen e sallës dhe më pas për ta dhënë “aminin” eventual. “Gjithçka është duke shkuar sipas planit të paraparë. Në palestër po punohet me intensitet. Është vendosur një pjesë bukur e madhe e karrigeve. Ndriçimin do ta testojmë sonte (mbrëmë) me të gjitha dritat dhe ngrohja do të jetë në rregull. Në aspektin organizativ besoj se do të jemi ‘OK’”, theksoi për gazetën sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku.

“Sipas parashikimeve palestra do të jetë e gatshme, ka mundësi, në mes të javës së ardhshme. Do të thotë dy ditë para ndeshjes, më 22 nëntor vjen edhe delegatja teknike e FIBA-s që ta kontrollojë sallën në detaje. Kështu që duhet të jemi në vijë deri më 22 nëntor”, nënvizoi ajo, shkruan Zëri.

pallati

Greenberg publikon listën, mungon Hajrizi

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Brad Greenberg, e ka publikuar të mërkurën listën e gjerë të basketbollistëve, në të cilën shihet prezenca e dy amerikanëve të natyralizuar, Scott Bamforth e Shawn Jones. Ndërkohë vërehet mungesa e Drilon Hajrizit, i cili i kishte prishur punët me trajnerin amerikan në ndeshjet parakualifikuese. Siç njofton shtëpia e basketbollit kosovar, trajneri amerikan do të arrijë në Kosovë të dielën dhe Përfaqësuesja do të grumbullohet nga e hëna e ardhshme në Prishtinë. Lojtarët do të zbarkojnë në kryeqytet më 19 nëntor dhe nga 20 deri më 23 nëntor do t’i zhvillojnë nga dy seanca stërvitore në ditë, kurse në ditën e ndeshjes do ta mbajnë një stërvitje të lehtë paradite. Nga ana tjetër, kontingjenti lituan do të arrijë në Prishtinë më 23 nëntor, kur do të ushtrojë në mbrëmje dhe në paraditen e 24 nëntorit. Një ditë pas lojës, e cila fillon në orën 19:00, Kosova do të udhëtojë për në Debrecen për t’u përballur me Hungarinë në ndeshjen e dytë kualifikuese, më 26 nëntor.

Lista e gjerë e Përfaqësueses së Kosovës: Arti Hajdari, Erjon Kastrati, Alban Veseli, Granit Rugova, Dardan Berisha, Scott Bamforth, Urim Zenelaj, Samir Zekiqi, Ergin Grosha, Lis Shoshi, Gëzim Morina, Fisnik Rugova, Shawn Jones, Leonard Mekaj e Muhamet Hasani.

greenberg