A ju ka shkuar ndonjëherë mendja të veproni sikurse kjo ish-futbolliste shqiptare?

Si ju lindi dëshira që të bëheshit futbolliste, kur në Shqipëri dihet që ka një mentalitet ndryshe për femrat?

E dëshiroja që fëmijë. Duke qenë se babai im ka qenë portier i Vllaznisë me të rinjtë shumë kohë më parë, Ramadan Hysaj (Dusha). Kjo nxiti dëshirën dhe pasionin. Duke qenë se isha më shumë se çun, kërkova të luaja për Vllazninë. Pata pengesa e pamundësi familjare.

Si e priti familja vendimin tuaj?

Nuk e priti mirë, edhe pse unë e kisha me mjaft dëshirë. Këmbëngulja pranë prindërve që të bëhesha futbolliste, por ata nuk e pranuan dhe kështu vendosa që të shkëputesha nga familja për 5 vite rresht për t’u zhvendosur në Tiranë.

Si është të merresh me këtë sport?

Është gjëja më e bukur si për trupin dhe jetesën. Kush merret me sport, është marrë me jetën.

Cilat vlerësoni ju si momentet më të bukura?

Mbështetja që më dhanë të gjitha lojtaret dhe trajneri Gëzim Gjonpalaj, kur vendosa të luaja tek ekipi i Dajtit.

Nga ndeshjet, cilën nuk do të donit ta kujtoni?

Një grindje mes meje dhe dy lojtareve të Tiranës. Ai ka qenë dhe momenti më i keq për mua, një nervozitet i çastit. U pezullova 4 ndeshje.

Batuta gjatë ndeshjes keni pasur?

Po, kam qenë më shumë humoriste, i trembja lojtaret kundërshtare për t’u marrë topin.

Cilin futbollist keni idhull nga Shqipëria. Po nga bota?

Elseid Hysaj, kushëriri im. Ndërsa nga bota më pëlqen shumë Ozil.

Çfarë lidhjesh keni me lojtarin e Napolit dhe të Kombëtares, Elseid Hysaj?

Thjesht lidhje gjaku. Jemi kushërinj.

Përse ndryshuat mendim që të linit futbollin dhe të merreshit me sportin e xhudos?

Kush ju nxiti? Më lindi dëshira vetë, por edhe trajneri i Tiranës, Shkurt Çullhaj, duke parë ndeshjet e futbollit, ku unë në çdo ndërhyrje shfaqja agresivitet, çka përshtatet me këtë lloj sporti, më bindi që të bëhesha pjesë e xhudos.

esma xhudo

Çfarë synoni në sportin e xhudos?

Synoj që të sjell një medalje kampioni në turnetë ndërkombëtare, sepse në Shqipëri nuk kam konkurrente. Jam e vetme në ekipin e të rriturave. Sigurisht që kërkoj të jem një Majlinda Kelmendi për Shqipërinë.

Çfarë dëshire keni në jetë?

Synoj të bëhem një police. Më pëlqen më shumë të jem te Forcat Speciale pranë policisë së shtetit. /Panorama Sport