A është kompletuar Drita sipas Bekim Isufit?

Në qytetin e Gjilanit nuk po flitet tjetër gjë pos futbollit. Sezonin e ardhshëm, ky qytet do t’i ketë në Superligë dy skuadra, Gjilanin dhe Dritën, të cilat do ta madhështojnë kampionatin.

Drita, nga ana e saj, po tregohet mjaft aktive në afatin kalimtar të verës. Ky klub u riorganizua shpejt, duke rikthyer trajnerin Bekim Isufi, ndërsa javëve të fundit solli 10 përforcime, ndërkohë që u larguan gjashtë lojtarë.

Me këtë rast, gjilanasit janë skuadra më e përforcuar në Kosovë. E ky fakt e gëzon trajnerin e ri (vjetër), sipas të cilit, edhe objektivat tashmë kanë ndryshuar.

“Me këto përforcimet e fundit, thuajse e kemi kompletuar ekipin dhe i kemi arritur përafërsisht qëllimet që kishim. Në fillim kishim objektiva tjerë, por me këto prurje, edhe synimet kanë ndryshuar. Jam mjaft i kënaqur me ekipin të cilin do ta kem në dispozicion”, thotë Isufi për Gazetën ‘Zëri’.

Ai zbulon se i nevojitet edhe një futbollist, për ta kompletuar ekipin për edicionin e ardhshëm. “Në mbrojtje dhe mesfushë jemi mirë, është një konkurrencë e madhe, ndërsa na nevojitet një sulmues tipik, në qendër. Tregu është i varfër, por shpresojmë ta transferojmë një. Ne kemi sulmues, por kampionati është i gjatë dhe na duhet edhe një 9-sh. Kemi edhe disa juniorë, të cilët po duken lojtarë të mirë”, nënvizoi ai.

Drita u riorganizua vonë dhe e nisi me vonesë fazën përgatitore. Por, përkundër këtij fakti, trajneri gjilanas tregon se po mundohet ta përgatisë ekipin sa më mirë, për fillimin e kampionatit. Përpos stërvitjeve, gjilanasit do të zhvillojnë edhe ndeshje miqësore, për t’u komponuar sa më mirë.

Sa më lart në tabelë

Me përforcimet e bëra, Isufi thekson se Drita do të ketë objektiva të qartë për edicionin e ri. Sipas tij, gjilanasit mund ta kenë një sezon të suksesshëm. “Nëse kemi pak fat, Drita do të jetë shumë lart në tabelë në sezonin e ardhshëm”, siguron ai.

Në Gjilan u kthye atmosfera e futbollit

Derbi i Gjilanit njihet si më i zjarrti në Kosovë. Për këtë është i vetëdijshëm edhe Isufi, i cili mezi e pret derbin e qytetit. “E mira është se në qytetin e Gjilanit është kthyer atmosfera e futbollit. Do ta kemi derbin e qytetit në nismë të kampionatit, ku synojmë të dalim sa më mirë nga ajo lojë”, shpjegon ai.

Lëvizjet e Dritës këtë verë

Ardhjet: Xhevdet Shabani (Feronikeli), Durim Gashi (Prishtina?), Ismet Caka (Drenica), Egzon Zendeli (i lirë), Artan Januzi (Shkëndija), Ylber Ramadani (Prishtina), Festim Krasniqi (Prishtina). Dardan Çerkini (Ferizaj), Visar Sermaxhaj (Gjilani), Lorik Osmani (i lirë).

Shkuarjet: Përparim Osmani (Besa), Mensur Limani (i lirë), Alban Shillova (Hajvalia),  Blendim Gashi (i lirë), Shqiprim Kelmendi (i lirë).

Trajner: Bekim Isufi (i ardhur).