A do të vazhdojë Dardan Berisha me Poloninë apo Kosovën, pas “Euro Basket 2015”?

Dardan Berisha do ta veshë edhe një herë fanellën e Polonisë, me të cilën pastaj do të përshëndetet, për t’iu bashkuar Kosovës, të cilën tashmë e ka njohur FIBA.

Përzgjedhësi i Polonisë, Mike Taylor, e ka ftuar yllin kosovar në ekipin e tij për pjesëmarrje në “Euro Basket 2015”, i cili do të mbahet në shtator. Kosovës i patën ikur eliminatoret për këtë Evropian, shkaku i izolimit në të cilin ndodhej, kështu që 26-vjeçari nga Peja do ta pranojë ftesën e polakëve, me të cilët pati shkëlqyer në “Euro Basket 2011”.

“Zëri” nuk ka mundur të kontaktojë me Berishën, që gjendet jashtë Kosovës, por drejtori i tij në Sigal Prishtinë, Florian Miftari, paralajmëron pjesëmarrjen e lojtarit më të mirë të Ligës Ballkanike në “Euro Basket 2015”.

“Sigurisht se Dardani do ta pranojë ftesën, pastaj do të luajë për Kosovën. Angazhimi i tij me Poloninë në këtë eveniment nuk e pengon që pastaj t’i kthehet Kosovës”, tha  Miftari.

Pas anëtarësimit të Kosovës në FIBA, Dardan Berisha pati festuar, duke e bërë të ditur vendimin e tij për ta lënë Poloninë për t’i mbrojtur ngjyrat e vendit të tij.