Cana asiston në trilerin kundër Bordeaux, Nantes në çerekfinale (VIDEO)

Nuk ka të ndalur Nantes, që nuk njeh humbje prej tre muajsh dhe sot ka arritur një fitore të madhe në Kupën e Francës, 4-3 në Bordeaux.

Në një ndeshje me shumë rëndësi për të dyja palët, që kërkojnë sukses në kupë, Nantes e nisi me Lorik Canën titullar, i cili ka treguar se është i aftë që të luajë çdo 3 ditë dhe pse jo, edhe 120 minuta.

Jo vetëm kaq, sepse kapiteni i Shqipërisë ndihmoi jashtëzakonisht edhe në fazën sulmuese, duke marrë pjesë në dy gola dhe mbi të gjitha duke qenë vendimtar në golin vendimtar, shënuar nga mesfushori Bedoja në minutën e 118-të.

120 minuta zgjati ndeshja e kupës në Bordeaux, sepse koha e rregullt mbaroi 2-2, me përmbysje të vazhdueshme.

Nantes shënoi e para, por Bordeaux shkoi në avantazh në fillim të pjesës së dytë, para se Nantes të barazonte në minutën e 65-të. Edhe shtesat ishin të mbushura me emocione e gola, ku Bordeaux  shënoi në minutën e 98-të, para se Nantes të realizonte një përmbysje fantastike, me golat e mesfushorëve ofensivë Odel dhe Bedoja.

Ndërkaq, Ermir Lenjani qëndroi për 120 minuta në stol dhe duket se do ta ketë radhën të luajë në fundjavë, pasi shumë titullarë do të kenë nevojë për pushim.