E dënuan për kurdisje, Haliti: “Jam i shokuar”

Në Kosovë ishte ndër lojtarët më korrekt, dhe shquhej edhe për disiplinë në klubet e Hysit dhe Prishtinës, në të cilat bëri karrierë.

Shkoi në Shqipëri për të fituar kontratë më të mirë, ku nënshkroi me Bylisin gjatë verës, mirëpo duket se jo gjithçka po shkon mbarë për Ahmet Halitin.

Mbrojtësi i mirënjohur kosovar u pezullua të shtunën nga Komisioni i Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit, me gjashtë muaj moslojë për shkak se sipas tyre ka marrë pjesë në kurdisjen e ndeshjes me Tërbunin, të fituar 4:2 nga këta të fundit, javë më parë.

Bashkë me të u pezullua edhe portiere prishtinas Kushtrim Mushica, pjesë e Bylisit, si dhe dy lojtarë tjerë të Bylisit.

Haliti shprehet i tronditur me lajmin, të cilin ende nuk mund ta besojë.

“Jam i shokuar, ende nuk po mund të besoj”, thotë në fillim të bisedës për Gazetaolle.com, Haliti.

“Nuk e di pse ka ndodhur, nuk po mund të reflektojë ende, nuk e di çfarë do të bëjë, sepse nuk kam marrë asnjë vendim me shkresë dhe nuk e di se çfarë shkruan aty, por do të ndjekë çdo procedurë për ta pastruar imazhin tim që e kam ndërtuar me djersë gjatë gjithë këtyre viteve”, shtoi ish-mbrojtësi i Hysit, Besës së Kavajës dhe Prishtinës. /Olle/

Loading...