41-vjeçari që po shkëlqen me gola me Kosovë (FOTO)

Sami Geci po del të jetë si vera e kuqe: sa më i vjetër, aq më i mirë. Futbollisti drenicas, edhe pse 41 vjeç, po luan me sukses në Superligën e Kosovës.

Madje, fundjavën që shkoi, veterani i mbrojtjes e shijoi dygolëshin e parë në karrierën e gjatë, në fitoren 2:1 ndaj Vushtrrisë. Geci, njëherësh polic, u shpreh i lumtur për këto gola, duke zbuluar se kjo i ndodhi për herë të parë.

“Jam shumë i lumtur që me dy golat e mi kam arritur ta ndihmoj ekipin tim ta marrë një fitore të rëndësishme në këtë takim. Dua të zbuloj që për herë të parë në karrierën time kam shënuar dy gola në një ndeshje”, u shpreh Geci për “Zërin”. Pavarësisht moshës që ka, ai thotë se nuk është duke e menduar fare pensionimin.

“Jam duke u ndjerë shumë mirë momentalisht dhe forma fizike që kam është shumë e lartë. Përkundër moshës që kam, nuk jam duke e menduar pensionimin”, potencoi Geci.

Kapiteni i drenicasve shpreson që këtë edicion t’i arrijnë objektivat, pra ta sigurojnë mbijetesën. “Për mua, e rëndësishme është që të arrijmë ta sigurojmë mbijetesën këtë edicion dhe nuk kanë rëndësi golat”, përfundoi Geci.