Barcelona u jep bileta tifozëve kosovarë për finalen e Berlinit

 Në finalen e madhe të Berlinit, Barcelona – Juventus, nuk do të mungojnë edhe tifozët kosovarë. Madje, është klubi katalunas që ka rezervuar tri bileta për grupin kosovar të tifozëve të Barcelonës, të quajtur “Penya Kosovar del FC Barcelona”.

Lajmin e konfirmon Adnan Ahmeti, për GazetaOlle.com. Ai është përfaqësues kryetar i ‘Penya Kosovar del FC Barcelona’.

Finalja zhvillohet më 6 qershor.

Në njoftimin e publikuar nga Ahmeti shkruhet:

Fan klubi zyrtar për Kosovë i Klubit të Futbollit FC Barcelona, i quajtur Penya Kosovar del FC Barcelona,  do të udhëtojë edhe zyrtarisht në Finalen e Ligës së Kampionëve në Berlin më 06 maj. Ata edhe zyrtarisht kanë marrë dje konfirmimin se atyre iu janë akorduar tri bileta për pjesën ku do të vendosen fansat e Barcelonës në Olimpia stadion në Berlin. Ky fan klub është fan klubi i parë i  mega-klubeve botërore, të themeluar në Kosovë dhe ekziston që nga viti 2005, ku sivjet  në muajin shtator feston 10 vjetorin e tij dhe sipas zyrtarëve të Penya Kosovar del FC Barcelona në këtë festim pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues zyrtar të FC Barcelonës dhe anëtarë të bordit menaxhues të klubit. Ndërsa vitin e kaluar, Kryetari i Penya Kosovar del FC Barcelona, z. Adnan Ahmeti ishte pjesëmarrës në Kongresin Botëror të Fansave të FC Barcelonës, i mbajtur në Barcelonë gjatë muajit gusht, ku të pranishëm ishin mbi 1000 delegatë nga e tërë bota dhe z. Ahmeti gjatë këtij takimi takoi edhe Presidentin e Klubit, Josep Maria Bartomeu, dhe nënkryetarin e klubit, Jordi Cardoner, ku kanë biseduar për mundësinë e organizimit të kampit për talente të shkollës së futbollit FCBEscola edhe në Kosovë gjatë dy viteve të ardhshme. Kështu, sipas z.Ahmeti, FC Barcelona muajin e kaluar ka kërkuar që përsëri në muajin shtator të dërgohet projekt-propozimi për organizimin e kampit të FCBEscola në Kosovë. Ndërsa, ata pritet të marrin pjesë edhe këtë vit në Kongresin Botërorë të Penya-ve i cili zakonisht mbahet në të  njëjtën kohë me Turneun Joan Gamper.

penya