Besa Famgas “monopolizon” Kupën, Istogu shkruan historinë

Besa FamGas e ka fituar trofeun e parë për edicionin 2017\18, duke vazhduar kështu dominimin në hendbollin kosovar.

Të dielën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë, Besa e ka mposhtur Prishtinën me rezultat 31:29 në finale të Kupës së Kosovës në hendboll, bën të ditur FHK-ja.

18:16 ishte rezultati pas pjesës së parë ndërsa hendbollistët e klubit pejan epërsinë prej dy golave e mbajtën edhe në fund të ndeshjes, transmeton Koha.net.

Kështu skuadra e Arben Muqollit e ka vazhduar dominimin në hendbollin kosovar, dominim që po vazhdon për shumë vite.

Egzon Gjuka me 12 gola ishte më efikasi te Besa që luajti në palestrën e saj. Dhjetë gola i shënoi Kastriot Jupa, ndërsa katër Drilon Tahirukaj. Te Prishtina më efikasi ishte Petrit Prekazi me nëntë gola. Nga shtatë gola i shënuan Beni Syla e Deniz Terziqi.

Ishte kjo përballja e pestë e Besës e Prishtinës në këtë edicion. Katër përballje dy skuadrat i kanë në kuadër të kampionatit. Bilanci në kampionat është 3:1 në të mirë të Besës. Ishte ajo humbja e vetme e Besës, ndërsa Prishtina këtë edicion ka pësuar humbje vetëm nga ekipi pejan. Në plejof Besa do të startojë nga pozita e parë ndërsa Prishtina nga pozita e dytë.

 

Istogu shkruan historinë, fiton për herë të parë Kupën

auto_istoguuu1525636169

Istogu ka shkruar të dielën kapitullin më të suksesshëm në historinë e deritashme. Skuadra istogase e hendbollisteve për herë të parë ishte në një finale dhe ia doli të fitojë Kupën e Kosovës, bën të FHK-ja përmes faqes zyrtare.

Në finalen e Kupës së Kosovës të luajtur në palestrën “Karagaçi” në Pejë, Istogu fitoi ndaj Kastriotit të Ferizajt me rezultat 20:19, transmeton Koha.net.

Ferizajaset ishin në epërsi pas pjesës së parë me rezultat 11:9, por në të dytën skuadra e Faruk Shalës ishte më e përkushtuar për të fituar Kupën.

Kontribut në këtë sukses historik për skuadrën e Istogut dhanë të gjitha lojtaret, ndërsa gola realizuan tetë lojtare. Suzana Ujkiq i shënoi katër gola, ndërsa nga tri Elma Kameri, Alberina Halitaj e Arlinda Krasniqi. Adriana Salihu me tetë gola ishte më efikasja te Kastrioti. Pesë gola i shënoi Fjolla Qerkini ndërsa katër Arlinda Dinarica.

Istogu është në garë edhe për titull kampioni.